Pas humbjes në sfidën e parë ndaj Italisë, Kombëtarja e Shqipërisë është rikthyer mesditën e kësaj të diele në stërvitje, me teknikun Sylvinho që mësohet ta ketë ndarë grupin e “Legjionarëve”, në dy pjesë për të patur një seancë stërvitore sa më efikase për sfidën e radhës.
Lojtarët që u aktivizuan si titullarë në duelin e së shtunës përballë Italisë, kanë punuar në palestër, si dhe kanë kryer disa masazhe, ndërsa, pjesa tjetër ka kryer rreth 60 minuta përgatitje tekniko-taktike në kuadër të duelit të dytë të këtij Kampoinati Evropian ndaj Kroacisë.
Ndërkaq, kujtojmë se Shqipëria rikthehet në fushë të mërkurën e 19 qershorit, në 15:00 për takimin e dytë në Grupin B, të Euro 2024. “Kuqezinjtë” do të sfidojnë Kroacinë në “Volksparkstadion”, të Hamburgut, stadium ky me një kapacitet prej 57 mijë tifozësh, me mbështetësit tanë që janë gati të dhurojnë spektaklin e radhës dhe të mbështetin Kombëtaren, me shpresën dhe besimin e marrjes së pikëve të para në Euro 2024. /i.m /abcnews.al