Zelensky në Francë, pritet nga Macron

schedule10:37 - 7 Qershor, 2024

schedule 10:37 - 7 Qershor, 2024

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të pritet sot nga presidenti Emmanuel Macron në Pallatin Élysée në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Francë. Në mëngjes, Zelensky fillimisht do të takohet me ministrin e Mbrojtjes Sébastien Lecornu dhe më pas do të vizitojë kompaninë e mbrojtjes KNDS në Versajë.

Pallati Élysée njoftoi se kompania synon të ndërtojë një fabrikë të prodhimit të armëve në Ukrainë për të mbështetur vendin në mbrojtjen e tij kundër Rusisë.

Ndalesat e tjera të Zelensky përfshijnë Dhomën e Ulët të parlamentit, Asamblenë Kombëtare, ku presidenti ukrainas pritet t’u drejtohet ligjvënësve. Ai do te takohet gjithashtu me krye-bashkiaken e Parisit, Anne Hidalgo.

Zelensky mbërriti dje në Francë dhe mori pjesë në përkujtimin e D-Day, zbarkimet e Aleatëve në Normandi 80 vjet më parë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Macron njoftoi se gjatë vizitës së Zelensky ai synonte të diskutonte çështjen e një dislokimi të mundshëm të trajnerëve ushtarakë francezë në Ukrainë.

Mundësia e dërgimit të trajnerëve ushtarakë perëndimorë në zonën e luftës për të ofruar mbështetje më efektive për ushtrinë ukrainase, e cila është vënë nën presion, është diskutuar vazhdimisht kohët e fundit. Zyrtarisht, deri më sot nuk ka programe të tilla trajnimi.

Mbetet për t’u parë nëse Franca do të ndërmarrë në të vërtetë një hap të tillë vetëm apo me partnerë. Në shkurt, Macron paraqiti mundësinë e dërgimit të trupave tokësore në Ukrainë, të cilën ai nuk donte ta përjashtonte, duke ndezur një debat mes aleatëve perëndimorë të NATO-s./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!