Forca e Mbrojtjes e Australisë (ADF) do të lejojë edhe rekrutë nga vendet e huaja në radhët e veta, bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes e këtij vendi.
Australia, prej vitesh, përballet me regjistrime të ulëta të ushtarëve.
Kjo, sipas zyrtarëve, është pasojë e nivelit të ulët të papunësisë.
Shifrat e fundit të Qeverisë vlerësojnë se Forca e Mbrojtjes ka mungesë të rreth 4.400 trupave.
Nga korriku, shtetasit e Zelandës së Re që janë banorë të përhershëm të Australisë, mund të aplikojnë për t’iu bashkuar ushtrisë australiane, ndërsa nga viti i ardhshëm këtë do të mund ta bëjnë edhe banorët nga Britania e Madhe dhe vende të tjera, përfshirë SHBA-në dhe Kanadanë.
Ministri australian i Mbrojtjes, Richard Marles, tha se këto ndryshime “janë thelbësore përballë sfidave të sigurisë, gjatë dekadës së ardhshme dhe më tej”.