Një juri e Nju Jorkut shpalli fajtor Donald Trump për 34 akuza për falsifikim të të dhënave të biznesit, duke mbyllur kështur gjyqin njëjavor të ish-presidentit, por çoi në një fazë të re të çështjes historike.
Tani në pozitën unike të të qenit ish-presidenti i parë i SHBA-së i shpallur fajtor për një krim, Trump përballet me mundësinë e një dënimi me burg ose me kusht për krimet e tij që rrjedhin nga një skemë pagese e parave që ai ndihmoi në “lehtësimin e tij” përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.
Trump, i cili njihet për apelimet e gjata të vendimeve gjyqësore kundër tij ka gjithashtu të ngjarë të apelojë vendimin, i cili mund të vonojë ndjeshëm dënimin e tij, të caktuar aktualisht për 11 korrik.
Kur do të dënohet Trump?
Gjykatësi Juan Merchan ka caktuar dënimin e Trump për në orën 10:00 të mëngjesit të 11 korrikut. Merchan mund të dënojë Trump me kusht ose deri në 4 vjet për çdo akuzë në burg shtetëror, me një maksimum prej 20 vjetësh.
Për momentin, ish-presidenti do të qëndrojë jashtë burgut teksa pret dënimin e tij.
A mund ta apelojë Trump dënimin e tij?
Trump ka apeluar vazhdimisht vendimet e gjykatës kundër tij në një përpjekje për të vonuar procedurat ose përfundimisht për ta dërguar çështjen e tij përpara një gjykate që mund të jetë në anën e tij.
Dhe rasti i Nju Jorkut thuhet se nuk është ndryshe.
A mund të zgjidhet ende Trump president?
Me pak fjalë, po.
Profesori i drejtësisë i Universitetit të Kalifornisë, në Los Anxhelos, Richard L. Hasen, një nga ekspertët kryesorë të vendit për ligjin zgjedhor ka thënë vazhdimisht se asgjë në Kushtetutën e SHBA-së nuk e ndalon një kriminel të dënuar të kandidojë për postin më të lartë të vendit.
“Ligjërisht, asgjë nuk ndryshon me statusin e Trump si kandidat”, ka shkruar Hasen në blogun e tij për Ligjin Zgjedhor të enjten.
“Kushtetuta përmban vetëm kualifikime të kufizuara për të kandiduar për post (të jesh të paktën 35 vjeç, shtetas i lindur natyral dhe të paktën 14 vjeç banor i SHBA-së)”, vazhdoi Hasen.
E drejta Trump për të votuar
Ai mund të dënohet dhe të banojë në Florida, por përsëri mund të votojë, për sa kohë nuk është në burg në shtetin e Nju Jorkut.
Burg?
Pyetja e madhe që shtrohet tani është nëse Trump mund të burgoset.
Gjykatësi Juan Merchan njoftoi se masën e dënimit më 11 korrik, vetëm disa ditë para Kuvendit Kombëtar Republikan, ku Trump pritet të shpallet zyrtarisht kandidati i Partisë Republikane për president.
Akuza e falsifikimit të të dhënave të biznesit është një nga veprat më të lehta penale në shtetin e Nju Jorkut.
Për këtë vepër parashikohet dënim deri në katër vjet burg, megjithëse dënimi në fund i takon gjykatësit dhe nuk ka asnjë garanci se ai mund të vendosë qëTrump të qëndrojë pas hekurave.
Masat e të tjera të dënimit mund të përfshijnë gjobë ose dënim me kusht.
Po ashtu ekziston mundësia që gjyqtari të lejojë Trump të mos vuajë asnjë masë dënimi derisa të ketë përfunduar i gjithë procesi i apelimit të vendimit.
Dënimi nuk e ndalon Trump që të vazhdojë fushatën e tij. Bashkëshortja e djalit të ish-presidentit Trump, Lara Trump, e cila është bashkëkryetare e Komitetit Kombëtar Republikan, tha në një intervistë në rrjetin Fox Neës të enjten se nëse zoti Trump dënohet dhe nëse dënohet me arrest shtëpie, ai do t’i bënte virtualisht tubimet elektorale dhe takimet e tjera në kuadër të fushatës.
Mundësitë për apelim të vendimit
Pasi Trump të dënohet, ai mund të kundërshtojë dënimin në gjykatën e apelit dhe ndoshta në gjykatën e lartë të Nju Jorkut. Avokatët e Trump tashmë kanë hedhur bazat për të apeluar, duke kundërshtuar akuzat dhe vendimet gjatë procesit gjyqësor penal.
Avokatët e Trump e kanë akuzuar gjyqtarin Juan Manuel Merchan për njëanshmëri, duke përmendur faktin se e bija drejton një kompani, klientë të së cilës, ndër të tjerë kanë qenë presidenti Joe Biden, zëvendës-presidentja Kamala Harris dhe demokratë të tjerë.
Gjykatësi refuzoi kërkesën e mbrojtjes për t’u larguar nga çështja, duke u shprehur i sigurt në “aftësinë për të qenë i drejtë dhe i paanshëm”.
/abcnews.al