Izraeli mbrojti sot ofensivën e tij në Rafah para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ), duke thënë se po vepronte në vetëmbrojtje kundër luftëtarëve të Hamasit dhe kërkoi nga gjyqtarët që të refuzojnë kërkesën e Afrikës së Jugut për të urdhëruar tërheqjen e saj nga Rripi i Gazës.
Zyrtari i ministrisë izraelite të Drejtësisë, Gilad Noam, vlerësoi se padia e Afrikës së Jugut, e cila akuzon Izraelin për shkelje të Konventës për Gjenocidin, “plotësisht të shkëputur nga faktet dhe rrethanat”, raporton Reuters.
Përpara prezantimit të Izraelit, disa dhjetëra protestues pro-izraelitë u mblodhën jashtë gjykatës, duke shfaqur fotografi të pengjeve të marra nga luftëtarët e Hamasit më 7 tetor dhe duke kërkuar lirimin e tyre.
Afrika e Jugut dje i bëri thirrje GJND-së që të urdhërojë Izraelin të përfundojë operacionin e tij ushtarak në Rripin e Gazës dhe të tërheqë menjëherë trupat e tij nga territori.
Në përfundim të seancës dëgjimore në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për çështjen e gjenocidit të paraqitur nga Afrika e Jugut kundër Izraelit për shkak të agresionit të këtij vendi në Rripin e Gazës, gjyqtari Georg Nolt urdhëroi Izraelin të jepte informacion mbi kushtet e evakuimit dhe dërgimi i ndihmës në enklavë./abcnews.al