Vjen dhe zyrtarizimi: Thomas Tuchel nuk do të jetë pjesë e Bayern Munich sezonin e ardhshëm. Njoftimi i ndarjes së teknikut me bavarezët ndodhi kohë më parë, por ditët e fundit u fol shumë për një ndryshim skenari.
Duke llogaritur refuzimet e shumta dhe vështirësinë e gjetjes së një trajneri të përshtatshëm për rekordmenët e futbollit gjerman, drejtuesit e Bayernit medituan në lidhje me konfirmimin e 50-vjeçarit edhe për një sezon.
Por, jo. “Martesa” mes palëve nuk do të vazhdojë. Tuchel, i cili mund të rikthehet në Premier League, ka refuzuar mundësinë e qëndrimit në Mynih. Diçka që e konfirmoi në deklaratën përpara Hoffenheim-Bayern.
“Kjo është konferenca ime e fundit për shtypin si trajner i Bayernit. Ka pasur bisedime dhe negociata, por nuk kemi mbërritur në një marrëveshje. Kështu që vendimi i muajit shkurt mbetet në fuqi”.
Tuchel u ul në pankinën e bavarezëvë në fundin e marsit të vitit të kaluar, teksa fitoi titullin kampion falë “vetëvrasjes” së Dortmundit në javën e fundit. Këtë sezon mbërriti deri në gjysmëfinalet e Champions League me Bayernin./ h.ll/abcnews.al