Michael Cohen, ish avokati i Trump, pranoi të enjten se në vitet e kaluara ai shpesh ka gënjyer, duke i thënë një jurie në gjyqin penal të ish-presidentit në Nju Jork se në disa raste ai ka gënjyer për të ndihmuar Trump dhe në raste të tjera për të mbrojtur familjen e tij.
Përmes pyetjeve të shumta, avokati mbrojtës i ish Presidentit Trump, Todd Blanche u përpoq ta portretizonte Cohen, dëshmitarin kyç të prokurorisë, si një njeri të cilit nuk mund t’i besohet, se në thelb ai është i pandershëm, mashtrues dhe i dyshimtë.
Në një rast, Cohen përmendi gënjeshtrat gjatë një dëshmie para një Komisioni të Kongresit për një projekt të planifikuar të ndërtimit të Kullës Trump në Moskë, që nuk u realizua kurrë.
Michael Cohen tha se gënjeshtrat kishin për qëllim të ndihmonin Trump në atë kohë, por avokati Blanche e pyeti atë: “E dije që po gënjeje?”
“Po”, u përgjigj Cohen.
Në një rast tjetër, Cohen tha se ai gënjeu një gjykatës federal në një çështje evazioni fiskal, sepse donte të mbronte bashkëshorten e tij, Laura. Ai gjithashtu tregoi për gënjeshtra që u kishte thënë në kohë të ndryshme hetuesve që kërkonin të hetonin veprimet e tij dhe të Trump para dhe gjatë presidencës së tij, që zgjati nga viti 2017 deri në vitin 2021.
Avokati Blanche sugjeroi se Cohen gjithashtu gënjeu kur mohoi se kishte kërkuar falje presidenciale nga ish Presidenti Trump përpara se ai të largohej nga detyra. Cohen u përgjigj duke thënë se ai e kishte eksploruar idenë vetëm me avokatin e tij, por nuk e kishte ngritur këtë çështje me Trump.
Michael Cohen është dëshmitari i 19-të dhe i fundit i prokurorisë kundër Trump dhe u paraqit në fund të katër javëve të dëshmisë në gjyqin e parë penal ndaj një presidenti amerikan.
Avokati Blanche është përpjekur t’i tregojë jurisë 12 anëtarëshe seCohen, i cili u kthye kundër ish Presidentit Trump pasi ishte mik i tij besnik për vite, ishte pjesërisht i motivuar nga hakmarrja sepse Trump nuk e emëroi atë në një pozicion të lartë në administratën e tij kur ai ishte President.
Cohen tha se ai dëshironte postin e shefit të personelit të Shtëpisë së Bardhë gjatë mandatit të Trump dhe e pranoi se i kishte thënë vajzës së tij se ishte i zhgënjyer kur ai nuk u emërua në këtë post. Ai tha se ishte avokati personal i Trump gjatë 15 muajve të parë të presidencës së tij, por bëri pak punë ligjore për të.
Avokati Todd Blanche luajti një kasetë të zotit Cohen, në të cilën ai dëgjohet duke festuar me gëzim në një program të tij për lajmin mbi padinë ndaj zotit Trump në Nju Jork një vit më parë.
Në kasetë, Cohen dëgjohet duke thënë se shpresonte “që ky njeri të përfundonte në burg” dhe “të kalbet brenda për atë që më bëri mua dhe familjes time”.
Avokati Todd Blanche u përpoq të nënvlerësonte dëshminë e Cohen në fillim të kësaj jave se ish Presidenti Trump e kishte miratuar pagesën prej 130 mijë dollarësh për aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniels pak përpara zgjedhjeve të 2016-ës, për të siguruar heshtjen e saj për një marrëdhënie të dyshuar jashtëmartesore me Trump.