Shkupi mes zjarreve që ndezi vetë, reagojnë ashpër Greqia dhe Bullgaria

schedule19:17 - 13 Maj, 2024

schedule 19:17 - 13 Maj, 2024

Betimi I presidentes, Gordana Silianovska, e cila e quajti vendin “Maqedoni” dhe jo “Maqedonia e Veriut” siç parashikon kushtetuta ka nxitur reagime të ashpra në Athinë.  “Greqia refuzon manipulime si ato me të cilat zonja Silianovska po hap mandatin e saj”, thekson Kyriakos Mitsotakis, kryeministri grek, përmes një postimi në media sociale. Ai i cilësoi komentet e saj si të paligjshme dhe të palejueshme.

“Zgjedhja provokuese e Presidentes së re të Maqedonisë së Veriut për të shkelur tekstin zyrtar të betimit dhe për ta quajtur vendin e saj me një emër tjetër është një vendim i paligjshëm dhe i palejueshëm. Ne theksojmë kategorikisht se nuk do të pranojmë lapsus të tillë.”

Kundër deklaratës së saj në ceremoninë e inaugurimit, ka dalë edhe Bullgaria.

Presidenti bullgar Rumen radev i dha një mesazh të qartë shkupit: perspektiva evropiane e vendit varet nga zbatimi i rreptë i marrëveshjeve ndërkombëtare

“Jam i bindur se perspektiva evropiane e RMV-së varet nga përmbushja e rreptë e marrëveshjeve ndërkombëtare në të cilat është palë, si dhe nga ato të miratuara nga Këshilli Evropian në korrik 2022. Korniza e negociatave me BE-në, si informacion për institucionet përgjegjëse në RMV, nuk do të rishikohet”

Reagime të ashpra kishte edhe nga ndërkombëtarët.

“Është shumë zhgënjyes fakti që presidentja e Maqedonisë së Veriut nuk e përdori emrin kushtetues të vendit gjatë ceremonisë së betimit”, deklaroi  presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, me postimin e tij në platformën “X”.

Ai thekson se “BE rikujton rëndësinë e zbatimit të vazhdueshëm të marrëveshjeve ligjërisht të detyrueshme, përfshirë marrëveshjen e Prespës me Greqinë”.

Edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, reagoi kundër betimit të Siljanovska-Davkova, pasi nuk e përmendi emrin e plotë të shtetit që pritet ta drejtojë për pesë vjetët e ardhshme, duke iu referuar si “Maqedoni”.

Në një reagim të fundit, Silianovska pretendoi se është e drejta e çdo personi të vetëidentifikohet , duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore në përputhje me vlerat dhe parimet evropiane.

Megjithatë në deklaratën theksohet se ajo në parlament nënshkroi betimin zyrtar si presidente e Maqedonisë së Veriut./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!