Nga Pierre Haski, WorldCrunch
Si duket bota nga ZhongNanhai, selia e pushtetit komunist kinez, pranë qytetit të Pekinit, ku dikur jetonin perandorët e Kinës? Çfarë vizioni të Francës dhe botës solli presidenti kinez Xi Jinping në vizitën e tij dy-ditore, e para në Europë në pesë vjet?
Është gjithmonë e dobishme ta vendosësh veten në vendin e tjetrit. Kjo na lejon të kuptojmë se çfarë është në rrezik në këtë vizitë nga pikëpamja kineze, të gjitha aspektet e pathëna të kësaj vizite, të 60-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Francës së Charles de Gaulle dhe Kinës së Mao Ce Dun.
Nga këndvështrimi i Pekinit, armiku kryesor janë Shtetet e Bashkuara, i vetmi vend me të cilin Kina mund të matet.
Shtetet e Bashkuara, të cilat vendosin sanksione teknologjike ndaj Kinës, krijojnë aleanca ushtarake në Azi-Paqësor dhe mbrojnë Tajvanin, ishullin rebel. Gjithçka që Kina bën në skenën ndërkombëtare kushtëzohet nga ky konfrontim me Uashingtonin, për të cilin Pekini madje beson se një ditë mund të çojë në luftë.
Luftë e re e ftohtë
Vëmendja e veçantë e rezervuar për Francën duhet të interpretohet në kontekstin e Luftës së Ftohtë të re. Ashtu si në vitin 1964 nën presidentin e atëhershëm Charles de Gaulle, Franca ende perceptohet nga Pekini si një vend pak më i pavarur nga Uashingtoni se të tjerët.
Deklaratat e presidentit francez Emmanuel Macron për autonominë strategjike, ose më troç për rrezikun e “vasalizimit” të Europës, janë pritur mirë në Pekin.
Kina i njeh kufijtë e kësaj pavarësie në kontekstin perëndimor. Dhe Franca nuk e sheh Kinën si aleate, por si një “rival strategjik”, siç thuhet; një rival gjithsesi i pashmangshëm.
“Unë nuk po sugjeroj që të distancohemi nga Kina, gjë që mjafton për ta bërë Pekinin të lumtur, edhe nëse nuk përjashton tensionet tregtare”, tha Macron.
Dhe pastaj është Ukraina, e cila është, në fakt, çështja më urgjente. Gjatë vizitës së tij në Pekin vitin e kaluar, Macron i kërkoi Xi Jinping t’i kërkonte presidentit rus Vladimir Putin t’i jepte fund luftës në Ukrainë.
Nuk ia doli. Edhe pse Kina nuk i dorëzon armë Rusisë, ajo është kthyer në shpëtimin e saj ekonomik. SHBA ka sanksionuar kompanitë kineze të akuzuara për dërgimin e komponentëve të armëve në Rusi.
Edhe një herë, presidenti francez do t’i lutet homologut të tij kinez që të përdorë ndikimin e tij me Putinin. Por Macron ka të ngjarë të zhgënjehet edhe një herë, veçanërisht vetëm disa muaj larg zgjedhjeve amerikane që mund të ndryshojnë balancën globale të fuqisë.
Putini do të vizitojë Pekinin mbas dy javësh.
Pekini dhe Moska ndajnë të paktën një pikë të përbashkët: ato sfidojnë rendin amerikan.
Xi Jinping po sillet me takt me europianët, por nuk do të heqë dorë nga axhenda e tij, e cila nuk përkon me atë të Francës. Kjo nuk i përjashton buzëqeshjet gjatë vizitës, por kufizon shtrirjen e saj.
/abcnews.al