Stormy Daniels përballet me pyetje të tjera gjatë gjyqit ndaj ish-presidentit Trump

schedule09:22 - 10 Maj, 2024

schedule 09:22 - 10 Maj, 2024

Aktorja e filmave pornografikë Stormy Daniels u përball me pyetje të reja të enjten gjatë gjyqit në Nju Jork ndaj ish-presidentit Donald Trump, rreth pretendimit të saj për një marrëdhënie seksuale me të në vitin 2006. Zonja Daniels pretendon se zoti Trump i pagoi 130 mijë dollarë në vitin 2016 që të siguronte heshtjen e saj për këtë marrëdhënie, ndërsa votuesit përgatiteshin të jepnin verdiktin e tyre në zgjedhjet për president.

Gjatë dëshmisë të martën, zonja Daniels i tha jurisë prej 12 anëtarësh se e urren zotin Trump dhe se dëshiron që ai “të mbajë përgjegjësi” dhe të dërgohet në burg nëse gjendet fajtor.

Trump, ish-presidenti i parë amerikan që përballet me akuza penale, ka refuzuar rrëfimin e zonjës Daniels për marrëdhënien seksuale. Ai gjithashtu nuk pranon të 34 akuzat e ngritura ndaj tij. Nëse gjendet fajtor, ai mund të dënohet me kusht, ose deri në katër vite burgim.

Trump akuzohet për falsifikimin e të dhënave të biznesit të Organizatës Trump, për të fshehur rimbursimin për pagesën prej 130 mijë dollarësh për zonjën Daniels nëpërmjet çeqeve mujore të lëshuara në vitin 2017 për ish-avokatin dhe ish-ndërmjetësin e tij politik Michael Cohen. Zoti Cohen pati bërë pagesën për zonjën Daniels duke vendosur si kolateral vlerën e shtëpisë së tij.

Trump pretendon se e ka rimbursuar zotin Cohen për punën e tij ligjore. Avokatët mbrojtës kanë sugjeruar se pagesat për zonjën Daniels synonin fshehjen e marrëdhënies nga bashkëshortja e zotit Trump, Melania, dhe se pagesat nuk synon të ndikonin rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2016.

Daniels pranoi se ajo nuk ka ndërmend t’i paguajë zotit Trump 560,000 dollarë që ajo i detyrohet për shpenzimet ligjore nga paditë për shpifje që një ish-avokat i saj pati ngritur kundër zoti Trump dhe të cilat i pati humbur.

Avokatja Necheles e akuzoi zonjën Daniels se po kërkonte të bënte para nga zoti Trump përmes marrëveshjes së pagesave për të mos folur.

“E rreme”, iu përgjigj zonja Daniels.

“Kjo është ajo që bëre, apo jo?”, pyeti përsëri avokatja Necheles.

“E rreme!”, tha zonja Daniels, pothuajse duke bërtitur në sallën e gjyqit.

Avokati mbrojtës e akuzoi zonjën Daniels edhe për trillimin e një historie rreth një burri të paidentifikuar që kërcënoi atë dhe vajzën e saj të vogël në një parkim në Las Vegas në vitin 2011, duke i thënë asaj të mos fliste më për lidhjen e saj me zotin Trump.

“E gjithë historia ishte e sajuar, apo jo?”, pyeti avokatja Necheles.

“Jo, asgjë nuk ishte e sajuar”, tha prerazi zonja Daniels. Burri që zonja Daniels ka thënë se e kërcënoi, nuk u identifikua ndonjëherë.

Pasi avokatja Necheles të ketë mbaruar me pyetjet për zonjën Daniels, prokurorja Susan Hoffinger ka thënë se do të ketë pyetje të mëtejshme për të.

Trump, i ulur në tavolinën e palës mbrojtëse në një distancë të shkurtër nga banka e dëshmitarëve, ndonjëherë është shfaqur i zemëruar dukshëm me rrëfimin e zonjës Daniels.

Të martën, procesverbali i gjyqit tregoi se gjyqtari Juan Merchan, duke biseduar mënjanë me avokatin mbrojtës Todd Blanche dhe prokurorët dhe i tha zotit Blanche se: “Unë e kuptoj që klienti juaj është i mërzitur në këtë pikë, por ai po mallkon me zë dhe tund kokën dukshëm, dhe kjo është përçmuese; ka potencialin të frikësojë dëshmitaren, dhe juria e shikon këtë”.

Avokati Blanche e siguroi gjyqtarin se do të fliste me zotin Trump që të ndalë së bëri komente nga tavolina e palës mbrojtëse./voa