Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka mbërritur në Paris për takimin trepalësh me Emmanuel Macron dhe Xi Jinping. Ursula von der Leyen falënderoi Emmanuel Macron për zhvillimin e takimit.
“Jam e kënaqur që ju shoh përsëri,” i tha von der Leyen Xi Jinping, gjatë takimit të tyre.
“Bashkimi Europian dhe Kina duan marrëdhënie të mira dhe duke pasur parasysh peshën globale të Kinës, angazhimi ynë është kyç për të garantuar respekt të ndërsjellë, për të shmangur keqkuptimet dhe për të gjetur zgjidhje për sfidat globale”, tha presidentja e Komisionit.
“Si Kina dhe Bashkimi Europian kanë një interes të përbashkët për paqen dhe sigurinë, dhe për funksionimin efektiv të rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla,” tha ajo, duke shtuar se “ne jemi të vendosur të ndalojmë luftën e agresionit rus kundër Ukrainës “.
Ndërkohë Macron tha se situata ndërkombëtare e bën dialogun BE-Kinë më të rëndësishëm se kurrë dhe se palët do të diskutojnë për Ukrainën dhe Lindjen e Mesme.
Është thelbësore që të koordinohemi për këto çështje, tha lideri francez.
Xi Jinping i tha Emmanuel Macron dhe Ursula von der Leyen se si “dy forca të rëndësishme në botë ne të dy duhet t’i përmbahemi pozicionit të partneritetit, t’i përmbahemi dialogut dhe bashkëpunimit”.
Ai tha se të dyja palët duhet “të kryejnë bashkëpunim strategjik” dhe të promovojnë “zhvillim të qëndrueshëm dhe të shëndetshëm, të kontribuojnë në paqen dhe zhvillimin botëror”.
/abcnews.al