“Le Monde”: Grupet e armatosura të lidhura me Hamasin, vodhën 66 milionë nga bankat e Gazës

schedule16:31 - 4 Maj, 2024

schedule 16:31 - 4 Maj, 2024

Grupet e armatosura palestineze, njëra prej të cilave thuhet se është afër Hamasit, muajin e kaluar vodhën 66 milionë euro nga kasafortat e disa bankave në Gaza. Këto të dhëna janë bërë publike nga një raport i sotëm i gazetës franceze Le Monde.

Sipas gazetës, në një dokument të dërguar nga Banka e Palestinës për “partnerët e saj ndërkombëtarë”, përshkruheshin, me detaje vjedhjet, njëra prej të cilave ndodhi në degën e saj kryesore në qytetin e Gazës.

Më 16 prill, punonjësit “kanë zbuluar se dikush kishte hapur një gropë në tavanin e dhomës që quhej si ‘dhomë e sigurt’”, shkruan gazeta, duke shpjeguar se sulmuesit morën kaseta kartëmonedhash me vlerë 2.8 milionë euro. Të nesërmen në mëngjes, më 17 prill, “grupe të armatosura”, të pajisura me eksploziv, shkuan sërish në ndërtesë për të hedhur në erë kornizën e betonit që ishte ndërtuar një ditë më parë për të mbrojtur paratë. U hapën tre kasaforta dhe morën kartëmonedha të ndryshme, me vlerë totale 29 milionë euro.

Më 18 prill, dega e dytë, më e rëndësishmja në qendër të qytetit, u sulmua nga një grup burrash që thanë se i përkisnin “autoriteteve më të larta në Gaza” – një term që i referohet Hamasit, sipas Le Monde.

Autorët u larguan pasi morën 33.6 milionë euro.

Sipas informacioneve të gazetës, ushtria izraelite “konfiskoi (në Gaza) një sasi të konsiderueshme parash” që i përkisnin Bankës.

Raporti përshkruan gjithashtu vështirësitë me të cilat përballet Banka e Palestinës, për shkak të luftës, për të mbrojtur paratë e saj dhe sa e vështirë është për banorët të kenë akses në para.

Vetëm dy bankomatë punojnë ende, në Rafah dhe Deir Al-Balakh, kur ka energji elektrike”, nënvizon gazeta “Le Monde”.

/abcnews.al/