Pipiria: Lejet e ndërtimit duhet të dixhitalizohen, të bëhen publike nga institucionet që i japin ato

schedule20:50 - 3 Maj, 2024

schedule 20:50 - 3 Maj, 2024

Drejtori Ekzekutiv i NAREA, Reinaldo Pipiria thotë se duhet të dixhitalizohen lejet e ndërtimit. I ftuar në emisionin “Sheshi i dollarit”, duke folur për regjistrin e pronave, ai tha se është e nevojshme që lejet e ndërtimit të bëhen publike nga institucionet që i japin ato, duke treguar transparencë.

“Mendoj që nuk fillon me databasen në Kadastër. Duhet të fillojmë me dixhitalizimin, gjurmueshmërinë dhe bërjen publike të të gjithë lejeve të ndërtimit në të gjithë Shqipërinë. Nuk duhet të jetë nga INSTAT, por publike nga institucionet që japin lejet e ndërtimit, duke dhënë një transparencë dhe mbi sasitë dhe tipologjinë e lejeve, mbi sasitë e banesave, shërbimeve tregtare e të gjitha. Në Amerikë, ka një komponent të rëndësishëm për të kuptuar tregun, shkalla e përthithjes së stokut nga tregu. Nëse në vitin 2023 kemi pasur 35 mijë njësi apartamente të shitura dhe sot kemi vetëm 17.500, atëherë shkalla e përthithjes së këtij tregu është 6 muaj. Çka jep një sinjal se ne jemi akoma në tregun që drejtohet nga shitësi dhe jo nga blerësi dhe çmimet do të kenë vazhdueshmëri rritjeje.”, tha ai.

Më tej, ai shtoi se nuk duhet të ketë më regjistër të përkohshëm të lejeve.

“Regjistrin duhet ta popullosh me informacion. Një është pjesa e lejes së drejtimit, e cila duhet të shkojë rregullisht si nga institucioni që e emeton lejen e ndërtimit, investitori dhe ndërtuesi. E dyta, duhet të popullohet me kontratat e porosisë,  të cilat jo gjithmonë reflektohen në kohë reale në Kadastër. E treta, duhet të vijë fundi i një regjistrimi të përkohshëm të regjistrimit të lejeve. Kur emeton një leje ndërtimi, ke krijuar një titull ekzekutiv dhe të drejta tregtare. Për sa kohë ke titull ekzekutiv dhe të drejta tregtare, është e udhës që të gjitha këto të jenë në një regjistër të përhershëm duke i dhënë një numër pasurie unik çdo njësie që është krijuar nëpërmjet kësaj leje ndërtimi. Në këtë moment, ke gjurmueshmërinë e pronës që kur lind si ide tregtare deri kur merr certifikatën e pronësisë. Mund të kesh ndryshime të titujve të pronësisë, hyrje dhe dalje në treg.“, tha mes të tjerash ai.

Ndërkaq, duke u ndalur te apartamentet stok, eksperti për pasuritë e paluajtshme Dritan Ballgjini tha se ata janë të blera nga emigrantët por të pabanuara. Ndërsa ekspertja Teuta Nunaj përmendi uljen e numrit të kredive për banesat për shkak të kostove të larta të huave por dhe vetë apartamenteve.

“Të mbajturit e pagave në një niveli stanjacioni dhe në një rritje të kufizuar, ka bërë që të ketë më shumë vështirësi dhe nëse do t’i referohemi pyetjes se sa kohë do t’i duhet një qytetari shqiptar për të shlyer një apartament, përgjithësisht janë individë që kanë krijuar familje, dy individë që duhet 20-30 vite për të shlyer blerjen. Ka dy kritere, vlera totale të ardhurave që zotërojnë në një muaj dhe vlera që investojnë brenda një banese. Familjet me të ardhura të mesme dhe më pishtë i drejtohen zonave periferike se ata që kanë të ardhura më të larta. “, tha Nunaj. /abcnews.al