Bashkimi Evropian pret që autoritetet në Serbi dhe qeveria e re të punojnë në rrugën evropiane, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian Peter Stano.
I pyetur për përbërjen e re të qeverisë së Serbisë, e cila përfshin dy ministra që janë nën sanksione nga SHBA, ai tha se Serbia është një vend kandidat që edhe vetë ka theksuar se anëtarësimi në union është prioriteti strategjik.
Për shkak të kësaj, shtoi Stano, BE dhe vendet anëtare presin që Serbia të përmbushë detyrimet e saj.
“Ne presim të punojmë me qeverinë e re të Serbisë në përpjekjet e saj për të ofruar atë që buron nga qëllimi i saj strategjik, që është anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Serbia e di shumë mirë se pritshmëritë e Bashkimit Evropian janë të tilla që duhet të bëjë gjithçka për të përmbushur kriteret e nevojshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për politikën e jashtme, për t’u përafruar gjithnjë e më shumë me vendimet dhe pozicionin e Bashkimit Evropian në aspektin e politikës së jashtme”, tha Stano./abcnews.al