Presidenti amerikan Joe Biden ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, të cilit i përsëriti “pozicionin e qartë” të SHBA-së për pushtimin e Rafah dhe diskutoi nevojën për ndihma humanitare në Gaza.
“Presidenti dhe Kryeministri diskutuan gjithashtu për rritjen e shpërndarjes së ndihmës humanitare në Gaza, duke përfshirë përgatitjet për hapjen e kalimeve të reja veriore duke filluar nga kjo javë”, thuhet në njoftim e Shtëpisë së Bardhë.
“Presidenti theksoi nevojën që ky progres të vazhdojë dhe të rritet në koordinim të plotë me organizatat humanitare. Udhëheqësit diskutuan për situatën në Rafah dhe Presidenti përsëriti qëndrimin e tij të qartë,” theksohet më tej.
Administrata e Biden ua ka bërë të qartë homologëve të saj izraelitë se ata duan të shohin një plan të qartë dhe veprues se si do të mbronin civilët në Rafah.
Gjatë bisedës së tyre, Biden ripohoi gjithashtu angazhimin e SHBA për mbrojtje ndaj Izraelit.
“Presidenti ripohoi angazhimin e tij të hekurt për sigurinë e Izraelit pas mbrojtjes së suksesshme kundër sulmit të pashembullt me raketa dhe dron të Iranit në fillim të këtij muaji.
Ata gjithashtu shqyrtuan bisedimet në vazhdim për të siguruar lirimin e pengjeve së bashku me një armëpushim të menjëhershëm në Gaza”, sipas Shtëpisë së Bardhë.
Telefonata vjen vetëm disa ditë pasi Biden nënshkroi në ligj një paketë ndihme që përfshin 26 miliardë dollarë për Izraelin.
Paketa përfshin gjithashtu afro 61 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën.
/abcnews.al