Kina ristrukturon ushtrinë, Xi Jinping: Duhet të jemi gati për luftërat e ardhshme

schedule13:55 - 27 Prill, 2024

schedule 13:55 - 27 Prill, 2024

“Duhet të jemi gati për luftërat e ardhshme dhe të bëhemi gati që t’i fitojmë ato”.

Kështu ka deklaruar Presidenti Kinez Xi Jinping ndërsa Pekini ka bërë ristrukturimin më të madh të ushtrisë së tyre në dekadën e fundit. Lëvizjet e fundit të Kinës vijnë ndërsa tensionet gjeopolitike në rajonin e Azisë janë rritur ndjeshëm përgjatë muajve të fundit.

Kina është fokusuar në forcat strategjike të drejtuara nga teknologjia dhe pajisjet moderne ushtarake. Presidenti Kinez Xi Jinping i ka thënë ushtrisë së tij se ata duhet të rimendojnë sesi do të luftojnë dhe sesi do t’i fitojnë betejat e ardhshme që mund të përfshijnë globin.

Javën e shkuar Presidenti Kinez inauguroi si pjesë të ushtrisë, Forcën Mbështetëse të Informacionit, për të cilën u shpreh se do të jetë baza kryesore për rrjetet brenda ushtrisë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes në Kinë deklaroi se pjesë e ushtrisë që tani më do të raportojnë pranë komiteti Ushtarak janë Forcat e Mbështetjes së Informacionit, Forcat e Hapësirës Ajrore dhe Forcat e Hapësirës Kibernetike.

Kjo lëvizje e Pekinit zyrtar, tregon se Xi Jinping kërkon të ketë kontroll të shtuar mbi vendin duke përfshirë ketu edhe teknologjitë ushtarake si dhe sistemet e Inteligjencës artificiale, për t’u përgatitur për atë që ai e quan luftën inteligjente të së ardhmes.

Lëvizja më e fundit në ristrukturimin e ushtrisë kineze vjen pas zbulimit të disa skemave korruptive dhe në një kohë që Pekini po konkurron ashpër me Shtetet e Bashkuara të Amerikës sa i përket teknologjive ushtarake dhe agjencive të kundërzbulimit.

/abcnews.al