Trajneri i Brighton, Roberto De Zerbi u është përgjigjur së fundmi zërave të merkatos që e lidhin atë me disa nga klubet më gjigante në Europë.
Në prononcimin e dhënë për mediet italiani u shpreh se ka vite në botën e futbollit dhe se e di mirë si funksionon merkato, por shtoi se di se si ta mbajë fokusin vetëm te Brighton.
“Unë kam qenë në botën e futbollit për 30 vjet dhe e di që nëse luan mirë ose bën mirë në pankinë, njerëzit flasin për ty dhe merkato e transferimeve të pason.
Kam përvojën e duhur për të qëndruar i fokusuar dhe për t’i mbajtur sytë vetëm te Brighton, kam një kontratë me klubin dhe i dua lojtarët e mi. Sigurisht që duhet të flasim për projektin, për ta çuar përpara sepse motivimi është baza e punës sime”, deklaroi De Zerbi./ h.ll/abcnews.al