Stadiumi i ri i Milanos shikohet si një domosdoshmëri për dy klubet e qytetit të modës. Interi dhe Milani kanë rënë dakord që të ndërtojnë një stadium modern së bashku, ndërkohë që dëshirë e tyre është ta realizojnë projektin e tyre në zonën ku ndodhet aktualisht “San Siro”.
Gjithsesi ka një problem, që lidhet me hapësirën e madhe që dy klubet duan për të ndërtuar stadiumin. Kryebashkiaku i Milanos, Beppe Sala, ka qenë i qartë në deklaratën e tij të dhënë dy ditë më parë.
“Duhet të punojmë me të dyja klubet që të arrijmë të kuptojmë si mund të arrijmë një marrëveshje, duke marrë parasysh nevojat tona dhe të atyre. Është e qartë për të gjithë që hapësira e kërkuar prej tyre për të ndërtuar është shumë e madhe, e tepërt. Gjithsesi ne duam të gjejmë një zgjidhje me klubet”, është shprehur Sala, i cili ka vijuar dhe ka theksuar se nuk do të pranojë asnjë lloj presioni.
“Nëse skuadrat duan të bëjnë stadiumin, e bëjmë që nesër në mëngjes. Askush nuk dëshiron t’i ndalojë, por nëse duan të ndërtojnë hotele, zyra dhe qendra komerciale, atëherë duhet diskutuar. Nuk pranoj asnjë lloj presioni, pasi ka rregulla të sakta që duhen respektuar. Për shkak se do ta bëjmë në tokën tonë, projekti duhet të jetë në përputhje me nevojat e qytetit dhe lagjes.
Që kur jam bërë kryetar bashkie, nuk kemi autorizuar të bëhen qendra të tjera tregtare, sepse jemi duke kërkuar një ekuilibër mes qendrave të ndryshme tregtare dhe për të mbrojtur edhe dyqanet e vogla”, ka thënë kryebashkiaku i Milanos, i cili i është kundërpërgjigjur presidentit të Milanit, Paolo Scaroni, i cili ditë më parë tha se duhet me urgjencë të ketë një zgjidhje, pasi ndërtimi i stadiumit të ri do të zgjasë për tre vite dhe ata duhet të zhvendosen nga “San Siro”.
Ndërkohë së fundmi ka lajme të reja nga Milano. Corriere dello Sera shkruan se Milani dhe Interi po shikojnë mundësinë e ndërtimit të stadiumit të ri tek ish-fabrikat e Çelikut, në zonën e Sesto San Giovanni. Ata madje kanë pasur edhe një takim me ata që zotërojnë zonën e “ish” Falck dhe shikohet si një mundësi reale që stadiumi i ri të ndërtohet aty. Madje kanë nisur të bëhen edhe skicat e para për të bërë një projekt ide. Gjithçka është në fazën fillestare. /abcnews.al