Monedha europiane i është rikthyer trendin rënës brenda pak ditëve. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë aktualisht euro është kthyer në nivelin e 100 lekëve duke rezultuar një ndër nivelet më të ulëta të regjistruara për këtë periudhe. Ky zhvlerësim vjen vetëm disa ditë pasi euro rifitoi pikë kundrejt lekut shqiptar duke u këmbyer me rreth 102 lekë.
Kjo tendencë e paqëndrueshme e euros ndaj lekut shpjegohet me fluksin e lartë të eurove që qarkullojnë në ekonominë shqiptare duke marë parasysh faktin se numri i turistëve ka pasur një rritje të ndjeshme me gati 60 % më shumë në krahasim me një vit më parë.
Agjentët e kursit të këmbimit parashikojnë që monedha europiane do të vijë të qëndroj në këtë nivel ndërsa një ndryshim të lehtë mund të ketë pas vendimeve të Bankës Qendrore në lidhje me normën e interesit.Në të njëjtin trend me euron paraqitet edhe dollari amerikan .Aktualisht një dollar po këmbehet me rreth 94 lekë.
Në raportin vjetor Banka e Shqipërisë analizon se luhatjet në kursin e këmbimit të cilat vlerësohen pozitive për ekonominë shqiptare. Vlerësimi i lekut ka sjellë norma më të ulëta inflacioni, një gjë e dukshme kjo si në kontekstin rajonal dhe në atë evropian, duke mbrojtur konsumatorët nga gërryerja e fuqisë blerëse.
Në të njëjtën kohë, normat më të ulëta të inflacionit kanë mundësuar një rritje më të ngadaltë të normës bazë, duke sjellë një ndikim më pak negativ në rritjen ekonomike. Kursi i këmbimit në Shqipëri ka pasur luhatje të forta gjatë vitit të kaluar duke rezultuar me një mbiçmim vjetor të lekut prej 12.1%./abcnews.al