Qytetarët e Maqedonisë së Veriut sot votouan për presidentin e vendit. Kutitë e votimit u hapën në orën 7:00, ndërsa i mbyllën në orën 19:00 dhe vijon procesi i numërimit të votave.
Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), deri në orën 18:30, kanë votuar 48,34% e qytetarëve, ose 721.712 votues.
Kandidati shqiptar për president i koalicionit Fronti Europian, Bujar Osmani ka hedhur votën e tij, teksa këtë të mërkurë në Maqedoninë e Veriut po mbahen zgjedhjet presidenciale.
Për Osmanin, këto zgjedhje janë vendimtare për të ardhmen e vendit, teksa inkurajoi qytetarët të dalin dhe të votojnë.
“Unë pres që të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut të votojnë, për shkak se këto zgjedhje janë vendimtare. Sot do të vendoset për integrimin ose izolimin. Pres zgjedhje të lira, demokratike, qytetarët të dalin sa më shumë. Të votojnë për të ardhmen. Unë besoj në fitore të madhe këtë ditë”, u shpreh Osmani për ABC News.
Të drejtë vote kanë 1.814.317 votues, të cilët duhet të zgjedhin mes shtatë kandidatëve për president të Maqedonisë së Veriut.
Partitë shqiptare garojnë me dy kandidatë. Fronti Evropian, nën drejtimin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) garon me Bujar Osmanin, ministrin aktual të Punëve të Jashtme. Opozita e bashkuar shqiptare, që përbën koalicionin VLEN, merr pjesë në zgjedhje me Arben Taravarin, kryetarin aktual të komunës së Gostivarit./abcnews.al