Juventusi dhe Lazio do të përballen mes tyre për Superkupën e Italisë. Bardhezinjtë fituan titullin kampion sezonin e kaluar, të tetin rresht, ndërsa bardhekaltrit nga kryeqyteti triumfuan në finalen kundër Atalantës dhe fituan Kupën e Italisë për herë të shtatë në histori.
Finalja e këtij viti do të zhvillohet sërish në Arabinë Saudite. Edhe vjet u zhvillua në të njëjtin vend, por ndryshojnë vetëm qytetet.
“Zonja e Vjetër” mposhti 1-0 Milanin në Jeddah, ndërsa finalja e radhës do të luhet në Riad. Juventusi do të përballet për herë të tretë në shtatë vitet e fundit kundër Lazios për këtë trofe.
Bardhezinjtë fituan 4-0 finalen e vitit 2013, ndërsa lacialët ia dolën 3-2 në atë të vitit 2017. Finalja e këtij viti do të luhet me datë 22 dhjetor dhe ndeshja nis në orën 17:45. Bardhezinjtë nisen si favoritë, por ekipi i Inzaghit ka treguar se mund të befasojë dhe surprizojë. /abcnews.al