Shëndeti seksual dhe riprodhues/ Qeveria hedh për konsultim projektligjin

schedule15:34 - 20 Prill, 2024

schedule 15:34 - 20 Prill, 2024

Një grua mund të bëhet nënë përmes riprodhimit të asistuar  pasi të ketë kaluar 18 vjeçe  dhe deri në moshën 53 vjeçe.

Qeveria ka hedhur për konsultim projektligjin  për  shëndetin seksual dhe riprodhues  përmes të cilit  synon përcaktimin  e  rregullave   për  riprodhimin   invitro,  surrogatinë  dhe  ndërprerjen e shtatzënisë,  për shqiptarët  dhe të huajt që qëndrojnë  përkohësisht apo përherë në  Shqipëri.

Përfituese apo përdoruese e  këtyre teknikave   mund të jetë çdo grua me aftësi të plotë për të  vepruar   që  në mënyrë të  lirë dhe të ndërgjegjshme jep pëlqimin me shkrim  pavarësisht gjendjes së saj civile.

Në projektligj  theksohet gjithashtu se “e  drejta për riprodhim mjekësor të asistuar, përfshin te drejtën e riprodhimit për çiftet heteroseksuale dhe femrës pa partner.

Riprodhimi mjekësor i asistuar, mund të ndodhë edhe kur ka një marrëveshje midis një gruaje që mbart në mitrën e saj dhe lind një fëmije për një grua tjetër, e cila e ka të pamundur të lindë fëmijë.”

Gruaja zëvendësuese  duhet të jetë mbi 25 vjeç dhe të ketë lindur të paktën një fëmijë.

Një fëmijë i lindur sipas teknikës së riprodhimit mjekësor të asistuar nëpërmjet shtatzënisë surrogate  i nënshtrohen dispozitave të Kodit të Familjes për birësimin surrogativ.

Embrionet dhe vezët e pa fekonduara sipas këtij projektligji mund të ruhen në ngrirje deri sa gruaja te mbushë moshën 53 vjeç. Pas kësaj moshe, vezët ose embrionet nëse nuk dhurohen,  duhet të asgjësohen.

Institucioni shëndetësor i cili i ruan paraprakisht duhet të parashikojë me marrëveshje midis palëve çfarë ndodh me qelizat riprodhues ose embrionet në rast të humbjes së jetës të njërit prej bashkëshortëve ose bashkëjetuesve ose në rastet e divorcit apo ndërprerjes së bashkëjetesës.

Femrat mbi 18 vjeçe mund të dhurojnë vezët deri në moshën  35 vjeç. Ndërsa për donatorët meshkuj dhurimi i spermatozoideve zgjat nga 18 deri në 45 vjeç.

Dhurimi do të jetë anonim ndërsa institucioni duhet të garantojë konfidencialitetin e të dhënave nga bankat e qelizave riprodhuese, si dhe nga regjistrat e dhuruesve.

Numri maksimal i autorizuar për fëmijë të lindur në Shqipëri, që gjenerohen me qeliza riprodhuese të të njëjtit dhurues, nuk duhet të jetë më i lartë se 5.

  1. Në raste të veçanta, mund të bëhen përjashtime, kur gruaja ose çifti kërkon një fëmijë të dytë ose të tretë nga i/e njëjti/njëjta dhurues/dhuruese.

Gjithashtu projektligji zgjat nga 12 në 14 javë afatin për ndërprerjen e një shtatzënie.

Të miturat e pamartuara mbi 16 vjeç mund të ndërpresin vullnetarisht shtatzëninë, por të paktën njeri nga prindërit ose kujdestari ligjor duhet te informohen për vendimin e saj. Ky informim nuk do të realizohet nëse e mitura ka arsye bindëse se ajo rrezikon të dhunohet apo keqtrajtohet.

Ndërkohë nëse jeta  apo shëndeti I gruas është në rrezik serioz apo hatëzania shtatzënia është rezultat i përdhunimit, marrëdhënieve seksuale me dhunë ose një krimi tjetër seksual por dhe në rastet kur ekziston rreziku i anomalive serioze të fetusit mund të ndërpritet deri në  javën e 22 por kjo duhet të konfirmohet  nga një  komision I posaçëm. Projektligji përjashton rastet urgjente.

Shkeljet e dispozitave të këtij projektligji  kur nuk përbëjnë vepër penale, por kundravajtje administrative dhe dënohen me gjoba sipas shkeljes.