Pendarovski takohet javën e ardhshme me presidentin francez, Macron viziton edhe Tiranën

schedule13:38 - 5 Nëntor, 2019

schedule 13:38 - 5 Nëntor, 2019

Presidenti maqedonas Stevo Pendarovski takohet javën e ardhshme me presidentin francez Macron, konfirmoi “360 Shkallë”, duke cituar burime të saj. Takimi do të realizohet gjatë Forumit të Paqes në Paris, që mbahet të martën dhe të mërkurën.

Presidenti francez Emanuel Macron do të sqarojë gjatë vizitave të tij në Shkup dhe Tiranë reformën e metodologjisë së procesit negociues për anëtarësimin në BE, megjithëse ende nuk ka ndonjë përgjigje konkrete sesi do të duket ajo. Reforma që pritet të zgjasë me vite mund të diskutohet edhe në takimin që presidenti maqedonas Stevo Pendarovski pritet të zhvillojë javën e ardhshme me presidentin francez Macron. “360 Shkallë” konfirmoi se takimi do të realizohet gjatë Forumit të Paqes në Paris, që mbahet të martën dhe të mërkurën.

Takimet vijnë pasi Maqedonia e Veriut nuk arriti të marrë datën për nisjen e negociatave me Bashkimin Evropian, pasi presidenti francez, Emanuel Makron ka refuzuar çfarëdo progresi në zgjerimin derisa të ndryshojë metodologjia e procesit negociues. Ambasadori i Francës, Kristian Timonie tha se Macron mund ta sqarojë këtë metodologji gjatë vizitës në Shkup dhe Tiranë, por nuk përjashtohet mundësia që të bëhet edhe gjatë takimit me Pendarovskin.

Ndërkohë, senatorja franceze Elen Konve-Mure, që vizitoi të hënën Shkupin, theksoi se për Maqedoninë e Veriut, nuk ka alternativë tjetër përveç BE-së dhe se Franca është duke punuar për metodologjinë./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!