E marta ishte ditë zie në Kosovë në kujtim të të gjitha vajzave dhe grava të vrara. Gjyljeta Ukella u vra nga bashkëshorti i saj, Edmond Lajçi në orët e para të së martës në banesën e tyre ndërsa pak ditë më parë një 21 vjeçare u vra nga ish bashkëshorti brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj.
Eksperti i sigurisë, Ervin Karamuço, duke komentuar këto ngjarje tronditëse në “Newsline”, tha se këto fenomene nuk mund të parandalohen vetëm me polici. Ai theksoi se është e nevojshme një përfshirë të të gjithë shoqërisë.
“Janë ngjarje që pasojnë njëra-tjetrën. Mbaj mend ngjarjen tronditëse të madhe ku burri organizoi vrasjen e gruas, i cili është ende në paraburgim. Kosova mbahet për femicid, ashtu sikundër është fenomen edhe në Shqipëri. Vuajmë nga të njëjtat simptoma të shoqërisë, maskilitet të shtuar dhe nivel kulturor të ulët mënyra se si e trajtojmë gjininë femërore. Këto nuk parandalohet vetëm me polici, as me ligjin për parandalimin e dhunës në familje por duhet një parandalim të madh social gjithëpërfshirës të të gjithë komponentëve që kemi në shoqërinë tonë dhe për aq sa mund të themi fjalën. Këto fatkeqësisht do të jenë pjesë e diskursit tonë në këto panele për shkak se do të ketë ngjarje të tilla, të cilat do të ndjekin trendin e tyre me ulje dhe ngritje.
Do të kujtohemi për ngjarjen e kaluar, kur të ndodhë ngjarja e radhës. Por duhet një strategji komplet e re, ligji që kemi pasur ne dhe që ka Kosova, kërkon që të ngrejë një gjendje emergjence në Kosovë, kanë kërkuar disa sepse kanë ndodhur dy vrasje brenda 5 ditësh. Por të mos bjerë në gabimin që ka bërë Shqipëria para shumë vitesh për miratimin e një ligji që sot nuk funksionon, ligji për parandalimin e dhunës në familje. Nuk mund të vësh dot një polic në çdo derë pallati ku ka një zënkë mes familjarëve dhe të parashikosh nëse do të vriten. Ka një sërë masash të tjera që sot janë ende të paezauruara.”, u shpreh Karamuço./abcnews.al