Një 45-vjeçar nga Kosova është proceduar penalisht pasi tentoi të fuste në Shqipëri 24 900 euro, pa i deklaruar. Shuma e parave është sekuestruar nga autoritetet.
“Në vijim të kontrolleve të kryera nga shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Morinë, në bashkëpunim me autoritetet doganore, me objektiv parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi, në hyrje të RSh-së, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll të detajuar, automjeti tip “Benz”, me drejtues shtetasin I. Z. Nga kontrolli fizik, këtij shtetasi iu gjetën rreth 24 900 euro që po tentonte t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar konform ligjeve në fuqi.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin kosovar 45 vjeç, banues në Lipjan, Kosovë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
Sakaq materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.
/abcnews.al/