Nuk mund të kishte rezultat më të drejtë, për atë çka dhuruan 90 minutat e lojës, me “Topçinjtë” e Arsenal, që e mbyllën në barazimin, 2 me 2, sfidën e parë çerekfinale, të UEFA Champions League, ndaj “Bavarezëve” të Bayern Munich, duke dhuruar kështu spektakël, për të pranishmit, në “mitikun” e Londrës, “Emirates Stadium”.
Një ndër protagonistët e sfidës padyshim ishte edhe “ylli” i sulmit, Serge Gnabry, me 28-vjeçarin, që realizoi golin e barazimit momental 1-1 në minutën e 18’, ndërkohë që 20 minuta përpara fundit u zëvendësua si pasojë e një problemi fizik, problem fizik, i cili do të shqetësojë jo pak, teknikun Tomas Tuchel, të paktën kështu u mësua këtë të mërkurë.
Sipas raportimeve më të fundit të mediave gjermane, “fantazisti” i është nënshtruar testeve të detajuara mjekësore dhe do të qëndrojë jashtë fushave për një periudhë 2-3 javore, si pasojë e shqetësimeve muskulore, një lajm i keq ky për trajnerin e “Bavarezëve”, i cili nuk mund të bazohet te lojtari i Kombëtares gjermane për duelin e kthimit, më 17 prill, ndaj “Topçinjve”, në “Allianz Arena”. /i.m /abcnews.al