Ndaj Udineses për rekord personal, Asllani do minuta për të “përmbysur” sezonin e kaluar

schedule14:50 - 8 Prill, 2024

schedule 14:50 - 8 Prill, 2024

Nuk është plotësisht i kënaqur me veten, kjo dihet.

Sidoqoftë, Kristjan Asllani duhet të bëjë një krahasim të thjeshtë për të vlerësuar atë që po arrin tek Interi. Pikërisht mbrëmjen e sotme mesfushori kuqezi mund të vendosë një rekord.
Edhe pse do ta nisë nga stoli, besohet se do të ketë pjesën e vet në ndeshjen e Serisë A në fushën e Udineses, dhe kjo mund ta ndihmojë të kalojë sasinë e minutave të një sezoni me zikaltërit.

Edicionin e kaluar, 22-vjeçari pati 579 minuta në kampionat, ndërsa këtë vit është në 553. I duhen pra vetëm 26 minuta për rekordin e ri, ndërsa ka luajtur më pak ndeshje dhe fundi i turneut është ende larg. Për më tepër, në 2023-2024 ka shënuar një gol e ka shërbyer 2 asistë, ndërsa një sezon më parë ishte me shifrat 0 në të dyja këto statistika të futbollit.

Natyrisht, kënaqësia për Asllanin është edhe më e madhe sepse Interi është shumë pranë titullit. Një fitore në Udine do ta ngjiste në 82 pikë ndaj 68 të Milanit të vendit të dytë.
Përsa i përket rekordit të tij absolut të minutave në Serinë A, natyrisht shifra është shumë më e lartë.
Kristiani luajti gati 1400 minuta kur ishte tek Empoli, ku edhe shkëlqeu dhe pastaj erdhi interesimi i zikaltërve, të cilëve u shënoi gol në “San Siro”./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!