Të enjten në Maqedoninë e Veriut filloi zyrtarisht fushata për zgjedhjet presidenciale, të cilat do të mbahen më 24 prill. Nuk pritet një fitues që në raundin e parë për shkak të interesit jo aq të lartë të votuesve dhe për shkak të shpërndarjes së votave tek më tepër kandidatë.
Edhe pse presidenti zgjidhet me vota popullore, ai nuk ka kompetenca të mëdha. Ndërkohë, partitë politike po shtojnë retorikën sulmuese ndaj kundërshtarëve politikë.
Shtatë kandidatët për president të Maqedonisë së Veriut dhe partitë në mbështetje të tyre e hapin sot zyrtarisht fushatën zgjedhore, edhe pse angazhimi i tyre ka qenë mjaft aktiv në javët e fundit.
Dy garuesit e partive më të mëdha maqedonase e fillojnë me tubime; Gordana Siljanovska Davkova e VMRO-së në Shkup, ndërsa Stevo Pendarovski i Lidhjes Social Demokrate në Prilep. Garuesit shqiptarë Bujar Osmani dhe Arben Taravari, si dhe kandidatët tjerë paraqitjet e tyre sot i bëjnë përmes konferencave të shtypit, me hapjen e shtabeve zgjedhore, apo në takime të vogla me qytetarë.
Shumica e kandidatëve kanë nënshkruar Kodin për zgjedhje të drejta dhe demokratike, teksa analistët e cilësojnë si një fushatë të zezë që ka filluar me ofendime dhe denigrime të kundërshtarëve politikë.
Zgjedhjet mbahen më 24 prill. Asnjë prej kandidatëve nuk pritet të fitojë garën që në raundin e parë. Dy garuesit me më tepër vota do të kalojnë në balotazhin e 8 majit kur mbahen edhe zgjedhjet parlamentare.
Bujar Osmani i Bashkimit Demokratik për Integrim i mbështetur edhe nga Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës, Partia Demokratike Shqiptare dhe disa parti të tjera që përbëjnë atë që njihet si “Fronti Evropian”, thekson bindjet se do të kalojë në raundin e dytë; një gjë që deri më tash nuk e ka arritur asnjë kandidat shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
“Prapa meje qëndron blloku më i madh multietnik: koalicioni i 9 partive politike të mbledhura nën Frontin Evropian, një platformë e re e dalë nga Marrëveshja e Ohrit që ka për qëllim të ruajë kursin euro-atlantik të këtij vendi, të ruajë harmoninë dhe bashkëjetesën në vendin tonë të përbashkët; të ruajë marrëdhëniet ndërfqinjësore, por natyrisht edhe të rrumbullakësojë gjatë mandatit të ardhshëm deri në vitin 2030 integrimin e vendit në BE”, tha zoti Osmani.
Edhe Arben Taravari i krahut tjetër të Aleancës për Shqiptarët dhe kandidat i përbashkët i opozitës shqiptare të njohur tashmë si koalicioni “VLEN”, beson po ashtu se do të kalojë raundin e parë. Zoti Taravari synon anëtarësimin e vendit në BE, si dhe një Maqedoni që do të prodhojë siguri, ku do të mbizotërojë shteti ligjor dhe demokracia konsensuale.
“Si president i Republikës zotohem se nuk do të dekretoj shpalljen e ligjeve që largojnë edhe më tej vendin nga normat evropiane, siç ka ndodhur në të kaluarën. Do t’i propozoj Kuvendit daljen e menjëhershme të Maqedonisë së Veriut nga nisma ‘Ballkani i Hapur’. Do të angazhohem për anulimin e ndryshimeve të Kodit penal të vitit 2023”, thotë zoti Taravari.
Zoti Taravari dhe zoti Osmani angazhohen nga ana tjetër, që presidenti i vendit të zgjidhet në parlament. Por, për këtë do të duhej miratimi i dy të tretës së deputetëve, ndërsa partitë maqedonase nuk kanë shfaqur deri më tani ndonjë interes për një ndryshimin të tillë.
Gjasat për të kaluar në balotazh i kanë garuesit e VMRO-DPMNE-së dhe Lidhjes Social Demokrate, Gordana Siljanovska dhe Stevo Pendarovski.
Në garë janë edhe Maksim Dimitrievski, Biljana Vankovska dhe Stevçe Jakimovski. Ky i fundit u sanksionua së fundmi nga Departamenti Amerikan i Shtetit për përfshirje në akte korruptive.
Maqedonia e Veriut ka rreth 1 milion e 800 mijë votues të regjistruar. Zakonisht, orientimi i elektoratit shqiptar përcakton fituesin në balotazh. Zgjedhjet do të vëzhgohen nga 320 pjesëtarë të misionit të ODIHR-it dhe shumë më tepër vëzhgues të organizatave vendëse./voa