Pak kthesa politike mund të krahasohen me atë të muajit të fundit në Senegal. Rreth dy javë më parë, Bassirou Diomaye Faye ka qenë lider pak i njohur i opozitës që ka qenë në burg, i ndaluar pa gjyq, me akuza që përfshijnë nxitjen e kryengritjes. Më herët ai nuk kishte mbajtur kurrë ndonjë post.
Por një javë më vonë, ai ka mundur kandidatin e partisë në pushtet Amadou Ba në zgjedhjet presidenciale të vendit, duke fituar 54 për qind të votave në raundin e parë. Të martën e javës së ardhshme 44-vjeçari do të bëhet presidenti i pestë i Senegalit dhe do të bëhet kreu më i ri që shteti afrikan ka pasur ndonjëherë.
Ngritja spektakolare e Fayes është përkujtim i fuqishëm që zgjedhjet për shumë qytetarë akoma përfaqësojnë mënyrën më të mirë të heqjes së një qeverie të dështuar në Afrikë.
Fitorja e tij jo vetëm që ka larguar nga pushteti një qeveri jopopullore, ajo gjithashtu ka forcuar institucionet demokratike të vendit dhe ka rigjallëruar besimin popullor në demokraci, në një kohë ku grushtet e shtetit në shtetet e Afrikës Perëndimore kanë bërë të kundërtën.
Sipas liderit të kamotshëm të opozitës së Ugandës, Kizza Besigye, i cili ka punuar kohëve të fundit me homologun e tij më të ri Bobi Wine për të bërë një fushatë për demokracinë në vendin e tij, “procesi i jashtëzakonshëm i zgjedhjeve në Senegal u ka demonstruar, përsëri, që me popullatë të mobilizuar mirë dhe të udhëhequr mirë, është e mundshme që të arrihet në mënyrë jo të dhunshme tranzicioni i dëshiruar demokratik në Afrikë”.
“S’ishte e lehtë për t’u arritur”
Ndikimi frymëzues i suksesit të Fayes do të rritet nga fakti që nuk ka qenë i lehtë për t’u arritur.
Para zgjedhjeve, qeveria e presidentit Macky Sall kishte ndërmarrë një sërë hapash jodemokratikë, që janë parë si përpjekje për të mbajtur pushtetin në sfondin e pakënaqësisë popullore në rritje.
Kjo ka përfshirë persekutimin e vazhdueshëm të liderëve të opozitës dhe zërave kritikë, përfshirë përpjekjen e fundit të dëshpëruar për të shtyrë zgjedhjet në mënyrë që të shmangte humbjen, gjë që bëri që disa ta pyesnin veten nëse ishin duke parë vdekjen e demokracisë senegaleze.
Shumë nga këto masa kishin synuar të ngadalësonin vrullin pas partisë popullore opozitare, Patriotët Afrikanë të Senegalit për Punë, Etikë dhe Vëllazëri (Pastef).
Kjo ka përfshirë pengimin e liderit të partisë popullore Ousmane Sonko dhe Faye, i cili ka qenë sekretari i përgjithshëm i Pastefit. Ka pasur gjithashtu edhe kërcënime të mbështetësve të Pastefit.
Burgosja e Sonkos – për gjoja veprim imoral ndaj një personi më të ri se 21 vjeç pas akuzave nga një terapist i masazheve – së bashku me një numër të lëvizjeve nxitëse, ka shkaktuar një nga protestat më të mëdha që Senegali ka parë në vitet e fundit. Nga ana tjetër, ka pasur përgjigje të ashpër nga forcat e sigurisë, çka ka çuar në vdekjen e shumë personave.
Sonko ka përshkruar akuzat si të sajuara, duke thënë se synimi i tyre ishte ta ndalonin të kandidonte për president.
Vetë Pastef-i ishte shpërbërë nga autoritetet vitin e kaluar pas akuzave se kishte nisur dhunën në vend, por udhëheqësit e partisë opozitare kishin vazhduar të operonin.
Është dashur shumë guxim dhe punë e vështirë nga liderët e opozitës, grupet e shoqërisë civile, gazetarët dhe ata që punonin në institucionet e pavarura të vendit, për t’u siguruar se kjo situatë e zymtë të përfundojë me zgjedhje, të cilat Faye ka qenë në pozitë t’i fitonte.
Ishin anëtarët e Këshillit Kushtetues, gjyqi i lartë i Senegalit, që kanë mundësuar që zgjedhjet të zhvillohen siç ishin planifikuar, kur ata kanë dalë përballë presidentit dhe kanë vendosur se përpjekja e tij për ta ndryshuar datën ishte e paligjshme.
Të palëkundur përballë kërcënimeve të mëdha
Udhëheqësit e Pastefit gjithashtu kanë luajtur rol të rëndësishëm, kanë qëndruar të palëkundur përballë kërcënimeve të mëdha.
Pavarësisht reputacionit të tij, Sonko gjithashtu ka treguar se ishte i gatshëm të ishte fleksibil dhe i ka lënë mënjanë ambiciet e tij personale për t’u bërë president për t’ia dhënë kolegut të tij shansin e madh për sukses.
Me të vërtetë, pa këtë Faye nuk do të kishte qenë në fletëvotim.
Sonko priste t’i ndalohej pjesëmarrja në zgjedhje për shkak të bindjeve që kishte dhe aplikimi i tij për të kandiduar ishte refuzuar më pas nga Këshilli Kushtetues me arsyetimin se ishte “i paplotë”. Pavarësisht përpjekjeve për ta rivendosur në fletëvotim, liderët e Pastefit kanë ardhur në përfundim se nuk kishte gjasa që ai të lejohej të kandidonte.
Ky realizim e ka bërë të qartë se zgjedhja e Fayes, i cili nuk ishte vendosur kurrë para gjyqit, ishte opsioni më i lehtë – edhe pse kjo do të thoshte se Sonko, lider i partisë, nuk do të ishte më në pozitë udhëheqëse.
Grupet e shoqërisë civile dhe gazetarët gjithashtu kanë luajtur rol të rëndësishëm, duke vazhduar raportimet rreth regresionit të qeverisë dhe abuzimeve të të drejtave të njeriut, edhe pse janë arrestuar ose sulmuar me gaz lotsjellës.
Përmes punës së tyre, ata kanë siguruar që qytetarët e Senegalit dhe pjesa tjetër e botës të dinte se çfarë ka qenë duke ndodhur në vendin e tyre, duke rritur presionin për tërheqjen e presidentit Sall.
Në fund, këto përpjekje dhe pesha e traditave demokratike të Senegalit përfundimisht kanë shtyrë Sallin t’i lirojë nga burgu Fayen dhe Sonkon – edhe pse si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë amnistie që kritikët argumentojnë se është krijuar për t’u dhënë imunitet liderëve të qeverisë për abuzimet që ata kryejnë gjatë periudhës së trazirave politike.
“Shpresë për vendet e tjera në kontinent”
Fitorja e Fayes ka ardhur në kohën më të përshtatshme për politikanët e opozitës përgjatë kontinentit.
Në fundjavën e njëjtë me zgjedhjet, figurat opozitare të shquara nga vendet si Angola, Uganda dhe Zimbabve janë takuar në Cape Town për të diskutuar “valën në rritje të autoritarizmit, diktaturave ushtarake dhe demokracive të zbehta ku zgjedhjet keqpërdoren për ta ruajtur pushtetin”.
Mes zhgënjimit në rritje për strategjitë gjithnjë e më të dhunshme që janë duke u përdorur për t’i shtypur zërat kritikë, lajmet për transformimin demokratik janë festuar gjithandej, duke ngritur gjallërim në shpirtrat e njerëzve dhe duke riafirmimuar rëndësisë e strategjive jo të dhunshme të rezistencës.
Siç ka thënë lideri i opozitës në Ugandë Besigye ngjarjet në Senegal ishin përkujtim i rëndësishëm se tranzicionet demokratike sjellin përfitime në një vend të tërë, ndërsa grushtet e shtetit “vetëm rikrijojnë një formë të re të udhëheqjes autokratike”.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se eksperienca e Senegalit do të jetë e lehtë për t’u përsëritur në vendet e tjera.
Me histori të politikave më liberale dhe konkurruese, duke përfshirë tranzicionet demokratike të pushtetit dhe të një ushtrie që ka shmangur ndërhyrjen në politikë, në Senegal ka qenë e mundur që pushteti të sigurohet përmes kutive të votimit.
Në shtetet e tilla si Uganda dhe Zimbabveja, kjo është më e vështirë për shkak se komisionet zgjedhore janë më pak të pavarura, gjyqi është më i kompromentuar dhe forcat e sigurisë janë akoma më represive.
Sfidat që vijnë më pas
Trashëgimia e ngritjes së Fayes në pushtet do të varet gjithashtu nga ajo që do të bëjnë udhëheqësit e Pastefit tash e tutje.
Është e lehtë për t’u harruar se kur Salli ka ardhur në pushtet në vitin 2012, fitorja e tij gjithashtu është shpallur si përparim demokratik.
Por duke devijuar nga principet dhe premtimet që i ka shtyrë njerëzit ta mbështesin, presidenti në largim është e sigurt se tani do të mbahet mend si një lider tjetër i korruptuar nga pushteti.
Për ta shmangur këtë fat, Faye dhe Sonko duhet të fokusohen në rindërtimin dhe ribashkimin e vendit të tyre.
Kjo do të ndodhë vetëm nëse ata duhet t’i shmangen hutimit nga përfitimet personale që vijnë nga pushteti dhe destabilizimit të qeverisë duke konkurruar mes vete për kontroll të përgjithshëm.
Gjëja më efektive që mund të bëjnë partitë opozitare për ta nxitur demokracinë është të qeverisin në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të demonstrojnë se respektimi i të drejtave politike dhe lirive civile është mënyra më e mirë për të siguruar zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin politik.