Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kërkuan sërish Izraelit të hapë sa më shpejt një hetim të pavarur në lidhje me sulmin që shkaktoi vdekjen e 7 punonjësve të organizatës humanitare “World Central Kitchen”.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Mattheë Miller tha në konferencën e zakonshme të shtypit se Izraeli duhet të marrë masa më efikase për të mbrojtur punonjësit humanitarë dhe të gjithë civilët në terren.
“Nuk ka rëndësi se si u bë gabimi. Përfundimi është se shtatë punonjës ndihmash që ndodheshin atje për të dhënë ndihmë humanitare humbën jetën. Pra cilado qoftë arsyeja që çoi në këtë tragjedi, cilido qoftë gabimi që u bë nga Forcat Izraelite të Mbrojtjes, ajo që ndodhi është e papranueshme”, tha Miller.
Ndërkohë, presidenti Joe Biden do të zhvillojë një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu , ku sipas Shtëpisë së Bardhë pritet t’i shprehë atij indinjatën e thellë në lidhje me këtë sulm.
Punonjësit e organizatës së ndihmave u vranë kur autokolona e tyre u godit nga disa raketa pasi kishin marrë pjesë në shkarkimin e 100 tonëve ushqime në Gaza.
Ushtria izraelite shprehu “dhimbje të thellë” për incidentin dhe kryeministri Benjamin Netanyahu e quajti atë të paqëllimshëm.
/abcnews.al