Gjatë një telefonate të martën, presidenti Joe Biden diskutoi me presidentin Xi Jinping një seri çështjesh të rëndësishme dhe përsëriti kërkesën që Kina të mos përdorë mjetet e dezinformimit në internet për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane. Dy udhëheqësit diskutuan gjithashtu për Tajvanin, që po përgatitet të inaugurojë drejtuesin e tij të ri muajin e ardhshëm.
Shtëpia e Bardhë e cilësoi si “të sinqertë dhe konstruktiv” telefonatën e së martës mes presidentit Joe Biden dhe udhëheqësit kinez Xi Jinping, që pasoi takimin e vitit të kaluar.
Biseda u përqëndrua tek disa çështje të diskutuara më herët në nëntor, si përpjekjet e përbashkëta kundër narkotikëve, komunikimet ushtarake dhe rreziqet e inteligjencës artificiale.
“Mendojmë se është i pazëvendësueshëm komunikimi i rregullt në nivel udhëheqësish për të menaxhuar me efikasitet këtë marrëdhënie dypalëshe komplekse dhe shpesh të tensionuar. Të dy presidentët ranë dakord të ngrenë telefonin për të biseduar sa herë që të jetë e nevojshme”, tha John Kirby, nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare.
Presidenti kinez Xi u shpreh në një deklaratë se dy udhëheqësit “e konsideruan telefonatën të sinqertë dhe konstruktive”. Por, ai theksoi se mosmarrëveshjet vazhdojnë, në veçanti për sa i përket statusit të Tajvanit, ishullit që pretendohet nga Kina.
“Marrëdhënia Kinë-SHBA ka filluar të stabilizohet dhe kjo mirëpritet nga të dyja shoqëritë dhe komuniteti ndërkombëtar. Nga ana tjetër, janë shtuar edhe faktorët negativë të marrëdhënies dhe kjo kërkon vëmendjen e të dyja palëve”, tha presidenti kinez.
Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Biden përsëriti shqetësimet e mëparshme për një ndërhyrje të Kinës në zgjedhjet e ardhshme amerikane. Presidenti kinez Xi nuk e përmendi këtë temë kur përshkroi telefonatën.
“Do të thoja vetëm se kemi qenë vazhdimisht të qartë, madje edhe gjatë takimit të nëntorit në Kaliforni, për shqetësimet tona në lidhje me sigurinë e zgjedhjeve dhe përpjekjet e disa faktorëve, përfshirë edhe nga Kina, për të ndikuar tek to”, tha zoti Kirby.
Muajin e kaluar, parlamenti britanik votoi për t’u vendosur sanksione hakerëve të lidhur me Pekinin, për ndërhyrjet në Komisionin Zgjedhor dhe në parlament. Zyrtarët amerikanë të zbulimit kanë paralajmëruar gjithashtu ligjvënësit se hakerët kinezë po përgatiten për të “shkaktuar kaos dhe për t’u bërë dëm real” Shteteve të Bashkuara.
Qeveria kineze demonstroi muajin e kaluar se si i përdor mjetet dixhitale për ta mbështetur demokracinë dhe jo për ta dëmtuar atë. Por, analistët vënë në dukje një fushatë kineze të mbështetur nga shteti, të njohur me emërtimin “Spamouflage”, që bën të kundërtën dhe për të cilën duhet të reagojë presidenti Biden.
“Duhet të ketë komunikim shumë të qartë dhe të vazhdueshëm për ndërhyrjen në zgjedhje. Dhe nuk e kam fjalën vetëm për ndërhyrjen në sistemet e votimit, që është qartazi një nga format më të rënda të ndërhyrjes në zgjedhje. Por janë edhe fushatat që manipulojnë opinionin publik në mënyra mashtruese, apo që thjesht i dekurajojnë njerëzit nga pjesëmarrja në votime, që e kemi parë në operacionet e lidhura me Kinën në të kaluarën”, thotë Max Lesser, nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive.
Shtëpia e Bardhë nuk njoftoi se kur do të bisedojnë sërish dy udhëheqësit, por zoti Xi tha në deklaratën e tij se mirëpret vizitën në Kinë javën e ardhshme të sekretares amerikane të Thesarit, Janet Yellen./voa