Pse shërbimet sekrete ndajnë informacione mes tyre?

schedule10:38 - 30 Mars, 2024

schedule 10:38 - 30 Mars, 2024

Shërbimet sekrete, siç e thotë edhe emri, punojnë në fshehtësi. Ato mbledhin informacione, që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare, ose informacione që mund të ndihmojnë qeveritë e tyre për të marrë vendimet politike.

Për këtë gjë informacionet mund të nxirren me metoda spiunazhi edhe nga vendet aleate, kështu për shembull shërbimi sekret amerikan, NSA ka pasur nën vëzhgim për vite me radhë një telefon celular të ish-kancelares gjermane, Angela Merkel. Mund të imagjinohet, se Uashingtoni do të kish dashur që kjo çështje të mos kishte dalë ndonjëherë në shesh.

Por në situata të tjera shërbimet sekrete i ndajnë informacionet që kanë me shërbimet e tjera sekrete. Për shembull më 23 shkurt 2022, SHBA ndau me Gjermaninë dhe partnerët e tjerë europianë informacionin, sipas të cilit, Rusia do të fillonte natën e ardhshme sulmin kundër Ukrainës.

Sa i përket sulmit të së premtes së kaluar (22.03.2024) në Krasnogorsk, afër Moskës, kemi të bëjmë me një rast parimisht të pazakontë, kur informacionet i jepen madje një shteti që nuk shihet si shtet aleat.

Çfarë informacionesh i dha SHBA Rusisë?

Më 7 mars ambasada e SHBA-së në Moskë paralajmëroi njerëzit e vet se „Ekstremistët kanë plane të afërta për të sulmuar në Moskë vende ku janë grumbulluar numër i madh njerëzish, mes të cilëve edhe vende ku mbahen koncerte.” 48 orë rresht nuk duhet shkuar nëpër aktivitete masive.

Faktikisht të pandehur islamistë goditën 15 ditë më vonë, por pavarësisht nga kjo, përmbajtja e paralajmërimit ishte e njëjtë me sulmin e ndodhur në sallën Crosus të qytetit, ku humbën jetën 130 vetë.

Pak orë pas dhënies së alarmit për sulmin, zëdhënësja e Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtaret të Shtëpisë së Bardhë, Adrienne Watson, foli duke iu referuar paralajmërimit të bërë më 7 mars.

“Qeveria amerikane ia ka transmetuar këtë informacion palës ruse, siç ndodh prej kohësh në kuadër të politikës sonë „detyrim për të bërë paralajmërimet,” shpjegoi ajo. Detajet e tjera apo burimi i informacionit të shërbimit sekret nuk u bënë publike.

Sa seriozisht e mori pala ruse paralajmërimin?

Me sa duket Moska nuk e mori parlajmërimin për sulm sa duhet seriozisht, mendon edhe analisti i terrorizmit në Kolegjin King të Londrës, Peter Neumann: „Këtë e tregon fakti që Vladimir Putini doli pesë ditë më parë dhe e hodhi poshtë këtë paralajmërim duke e quajtur publikisht si propagandë. Ai tha në parim, se kjo është një lloj lufte psikologjike e amerikanëve, që kërkon të hutojë Putinin, dhe nuk e mori fare seriozisht”, tha Neumann në bisedë me radion kombëtare gjermane, Deutschlandfunk.
Sa e vetëkuptueshme apo e pazakontë është dhënia e informacioneve në kohë lufte?

SHBA nuk janë palë lufte në luftën e Ukrainës, megjithatë e shohin Rusinë si rrezik për sigurinë e jashtme, në fund të fundit pushtetmbajtësi Putin kërcënon vazhdimisht hapur Uashingtonin. “Unë mendoj se prandaj amerikanët e dhanë paralajmërimin publikisht, sepse me sa duket nuk ekziston më ndonjë bashkëpunim me shërbimin sekret rus”. thotë Michael Götschenberg, ekspert për çështjet e sigurisë në rrjetin publik gjerman të transmetimit, ARD.

“Parimisht ndodh që shtetet të këmbejnë gjithnjë informacione për sulme terroriste që pritet të ndodhin ose që janë planifikuar të kryhen, kur mësojnë për një gjë të tillë. Kjo ka ndodhur edhe më parë në bashkëpunimin me shërbimin sekret rus. Por unë mendoj se për shkak të luftës që Rusia bën në Ukrainë, ky bashkëpunim është ndërprerë,” thotë Götschenberg në bisedë me Deutsche Wellen.

Sa i ngushtë është bashkëpunimi i shërbimeve sekrete në fushën e terrorizmit ndërkombëtar?

Grupime si ato të provincës Khorasan, që mbahet nga një krah i shtetit islamik IS, (ISPK), i kapërcejnë kufijtë e vendit, këtë e tregojnë edhe sulmet e fundit në Rusi, Iran dhe Afganistan. Prandaj për sigurinë publike është vendimtare, që ata që e ruajnë atë në vende të ndryshme edhe të bashkëpunojnë.

Sipas vlerësimeve të Götschenberg-ut parimisht kjo gjë funksionon: “Sidomos në fushën e shërbimeve sekrete perëndimore këmbehen informacione në mënyrë konsekuente dhe jepen sinjale që përpunohen më tej nga autoritetet përkatëse hetimore. Shpesh del se sinjalet e dhëna janë pa bazë. Por, atje ku shihet se mund të zbulohet diçka, zhvillohen hetime dhe personi arrestohet.”

Kështu ka qenë gjithnjë?

Shërbimet sekrete amerikane bazohen në një direktivë që mund të shihet publikisht, direktivën për „detyrim për të bërë palamajmërimin”, të ligjit për shërbimet sekrete të vitit 1947, si dhe një dekret i nxjerrë nga ish-presidenti Ronald Reagan, në vitin 1981. Intensiteti me të cilin këmbehen vërtet informacione të tilla, ka rënë sidomos vitet e fundit, mendon Michael Götschenberg.

“Parimisht mund të thuash, se 11 shtatori ka luajtur një rol shumë të madh,” thotë Götschenberg. “U tha se kjo gjë nuk duhet të na ndodhë sërish, që sinjale të rëndësishme të mos jepen. Dhe kjo vazhdon edhe sot.” Më 11 shtator 2001, idhtarë të luftëtarëve Al Kaidas islamike rrëmbyen katër avionë linje në SHBA dhe rrëzuan mes të tjerash qendrën e tregtisë ndërkombëtare në Nju Jork. Gjithsej 3 mijë vetë humbën jetën. Më pas u bë e ditur se autoritetet amerikane nuk i kishin analizuar si duhet disa sinjale të dhëna nga shërbimet sekrete të huaja.

Si e trajtojnë shërbimet sekrete gjermane ISPK?

Sipas mendimit të ekspertit të terrorizmit të ARD, Götschenberg autoritetet gjermane kanë kryer vitet e fundit punë të mirë sa i përket ISPK: „Dy vitet e fundit ne kemi pasur të bëjmë me situata, ku idhtarë të ISPK janë dyshuar të kenë bërë plane për sulme. Është arritur që këto sulme të mundshme të shkatërrohen në fazën e hershme.”

Në qytetin gjermanoperëndimor të Këlnit, me një milionë banorë, idhtarë të mundshëm të ISPK patën vënë në shënjestër Katedralen që vizitohet nga shumë turistë si dhe një festë popullore. Vetëm një javë më parë, hetuesit arrestuan në qytetin gjermano-qëndror të Gerës dy vetë, që të udhëhequr nga ISPK mendohet se kishin bërë plane të zhvillonin një sulm mbi parlamentin suedez.

Analisti terrorizmit Neumann, thotë në radion Deutschlandfunk, se sipas Europol-it, numri i përpjekjeve për të zhvilluar sulme është rritur shumë pas 7 tetorit, sulmit të grupit islamik terrorist Hamas kundër Izraelit: “Falë Zotit, deri tani nuk ka ndodhur gjë, por sulmet janë duke u shpeshtuar.” Nganjëherë „është çështje fati, që nuk ndodh gjë.”/DW