Vuçiç: Serbinë e presin ditë të vështira, shumë shpejt do të jap të gjitha përgjigjet

schedule15:16 - 28 Mars, 2024

schedule 15:16 - 28 Mars, 2024

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç tha më 28 mars se Serbinë e presin “ditë të vështira” dhe se këtë e ka diskutuar me shefin e delegacionit të Bashkimit Evropian në Beograd, Emanuel Gioffre, dhe me përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it.

Megjithatë, ai nuk ka specifikuar se për çfarë bëhet fjalë, duke thënë se për gjithçka do të flasë më shumë “në ditët në vijim”.

Ai hodhi poshtë vlerësimet se Serbia po e braktis “rrugën evropiane” pas paralajmërimeve për largimin e mundshëm të saj nga Këshilli i Evropës, nëse kjo organizatë e pranon Kosovën.

“Nuk kam dëgjuar të flitet për këtë. Po flisja për kohët e vështira që e presin Serbinë,” tha Vuçiq gjatë një vizite që ua bëri punimeve të hekurudhës Nish-Dimitrovgrad.

Më 27 mars, Komisioni për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyanis, në të cilin thuhet se Kosova i ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, kundërshton anëtarësimin e këtij vendi në organizatat ndërkombëtare dhe më 22 mars, Vuçiç njoftoi për mundësinë e tërheqjes së Serbisë nga Këshilli i Evropës në rast të pranimit të Kosovës.

Presidenti serb u tha gazetarëve më 28 mars se situata për Serbinë është “aq e ndërlikuar dhe komplekse” sa ai duhet “të flasë hollësisht” për të.

“Nesër, ose pasnesër, do t’i merrni të gjitha përgjigjet. Situata është stabile dhe e sigurt, por a është e vështirë, është”, tha Vuçiç dhe shtoi se problemet politike me të cilat përballet Serbia “për fat të keq nuk do të largohen”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!