Grupi OTP feston 5 vjetorin në Shqipëri/ Përvjetori i pestë i bankës me objektiva të arritura

schedule15:44 - 27 Mars, 2024

schedule 15:44 - 27 Mars, 2024

Banka OTP Albania shënon përvjetorin e saj të pestë të prezencës në tregun shqiptar, duke arritur objektiva mjaft të rëndësishëm në një kohë të shkurtër. Gjithashtu OTP Bank shënon edhe 20 vjet aktivitet dhe përvojë bankare në treg, që nga themelimi i saj në vitin 2004.

OTP Albania ka strategji me fokus rritjen në treg dhe agresive në kredidhënie duke ofruar dhe norma Interesit shumë të mira.  Ajo renditet e dyta në vend për portofolin e kredive për investime në blerjen e shtëpive dhe pronave të paluajtshme, dhe e treta për portofolin e kreditimit ndaj biznesit.

Banka OTP Albania është pjesë e Grupit Bankar OTP me qendër në Hungari, i cili është një nga grupet bankare lider me rritjen më të shpejtë ndër grupet e rajonit të Evropës Qëndrore dhe Lindore, me pozicionim të shkëlqyer përsa i përket përfitueshmërisë, stabilitetit në kapital dhe likuiditetit.

“Ne kishim një plan ambicioz, nga një nismë e vogël të rrisnim bankën dhe ta kthenim atë në një nga bankat me të suksesshme dhe fitimprurëse. Me krenari mund t’ju them se pas pesë vitesh kemi arritur objektivat tane. Gjithahstu dua të them se Shqipëria eshtë një ndër vendet që ka rritjen më të shpejtë ekonomike në rajon në ketë moment.” tha Gabor Kolics, Kryetar i Bordit Mbikeqyres i OTP Bank Albania.

Në ceremoninë e kremtimit të 5 vjetorit, në fjalën e tij Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko vlerësoi kontributin dhe suksesin e OTP Bank.

Banka OTP Albania ka hyrë zyrtarisht në tregun shqiptar në vitin 2019, duke u pozicionuar në tregun shqiptar si një bankë lider që ofron shërbim 360 gradë për të gjithë segmentet e klientëve.

Sot Banka OTP Albania i shërben rreth 400.000 klientëve dhe ka fokus të posaçëm tek të rinjtë dhe zgjidhjet inovative e praktike.

Bankës OTP Albania i është akorduar nga Euromoney për katër vite rresht, çmimi: “Best Bank”, nga The Banker dy vite rresht, të përforcuara së fundmi edhe me çmimet “Best Business Banker” si dhe “Banka më e mirë e vitit 2023”, nga The Banker./abcnews.al