Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda ka folur për mediat para miqësores së ditës së martë kundër Hungarisë. Pas fitores ndaj Armenisë, “Dardanët” i pret një tjetër miqësore, të cilën Foda po e sheh si të vështirë.
Foda tha se kundër Armenisë futbollistët tanë zhvilluan një ndeshje shumë të mirë, por që do të jetë e vështirë kundër Hungarisë.
“Kemi zhvilluar një ndeshje shumë të mirë me Armeninë. Kemi një skuadër që ka kualitet të mirë teknik dhe lojtarët janë shumë të mirë në tranzicion, megjithatë do të jetë e vështirë të luajmë ndaj një skuadre të fortë si Hungaria që ka shumë kualitet”, tha Foda.
Po ashtu, trajneri gjerman tha se Kosova duhet të zhvillojë më shumë ndeshje të këtij lloji me kundërshtarë të nivelit të Kampionatit Europian, pasi ky i fundit është synimi i “Dardanëve”.
“Ne duhet të përballemi me skuadra të nivelit të Hungarisë, që është e kualifikuar në Kampionatin Europian, sepse edhe synimi ynë është të kualifikohemi. Pavarësisht sa kombëtare e fortë është Hungaria, ne do të luajmë me vetëbesim”, tha Foda.
Të martën, në orën 19:00 dhe në stadiumin “Puskas Arena” do të do të luhet ndeshja mes Hungarisë dhe Kombëtares së Kosovës, miqësorja kjo e dytë e “Dardanëve” nën urdhrat e trajnerit Franco Foda./ h.ll/abcnews.al