“Dua fitore në debutim”, Foda për miqësoren e Kosovës ndaj Armenisë: Lojtarët janë në gjendje të mirë fizike

schedule11:43 - 22 Mars, 2024

schedule 11:43 - 22 Mars, 2024

Kosova do të luajë sot kundër Armenisë miqësoren e parë për këtë vit, teksa ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Vazgen Sargsyan Republican” të Jerevanit në orën 17:00.

Trajneri gjerman, Franko Foda, debuton në pankinën e “dardanëve”, ndërsa beson tek një nisje e mbarë.
Në konferencën para ndeshjes, ai ka treguar se është i kënaqur me stërvitjen që kanë bërë lojtarët dhe sipas tij, të gjithë janë në gjendje të mirë.

“Kemi pasur disa stërvitje të mira në Prishtinë, ndonëse koha nuk ka qenë e përshtatshme. Sido që të jetë, lojtarët kanë qenë në formë dhe në gjendje të mirë fizike. Amir Rrahmani dhe Milot Rashica kanë pasur disa probleme të vogla muskulore, por tashmë të dy janë mirë dhe do të jenë gati”, ka thënë fillimisht Foda, ndërsa komentoi në vijim kundërshtarin.

“Armenia dhe Kosova kanë lojtarë shumë të mirë, sidomos teknikisht. Në tri ditët e fundit jemi koncentruar në aspektin taktik. Do të luajmë në mënyrë sa më agresive dhe të sulmojmë shpejt. Nuk e di se kush është favorit i ndeshjes, por di që jemi përgatitur mirë dhe duam të fitojmë”, përfundoi Foda./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!