Blinken besimplotë për një marrëveshje armëpushimi në Gaza

schedule07:34 - 21 Mars, 2024

schedule 07:34 - 21 Mars, 2024

Negociatat për të siguruar një armëpushim të lidhur me lirimin e pengjeve që mbahen nga Hamasi “po i afrohen” një marrëveshjeje, ka thënë Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

“Mendoj se boshllëqet po mbushen dhe mendoj se një marrëveshje është shumë e mundshme”, ka thënë ai në Arabinë Sauditë.

“Kemi punuar shumë me Katarin, Egjiptin dhe Izraelin për ta vënë një propozim të fuqishëm në tavolinë. E bëmë atë; Hamasi nuk e pranonte. Ata u kthyen me kërkesa të tjera. Negociatorët tani po punojnë mbi ato”, ka shtuar ai, raportoi CNN.

Blinkeni ka theksuar se përgjegjësia mbetet mbi Hamasin për ta pranuar propozimin.

“Duhet të shohim nëse Hamasi i thotë po propozimit. Nëse e bënë, kjo është mënyra më e shpejtë për të lehtësuar vuajtjen e njerëzve në Gaza”, ka thënë ai.

Blinken, i cili do të udhëtojë në Egjipt të enjten për të takuar liderët arabë, ka shtuar se është e rëndësishme gatishmëria “për atë që ndodh me qeverisjen e Gazës” pas luftës.