Asambleja Parlamentare e KiE i bën thirrje vendeve që të mos njohin Putin si president

schedule16:52 - 18 Mars, 2024

schedule 16:52 - 18 Mars, 2024

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës i kërkon unanimisht komunitetit ndërkombëtar që të mos e njohë më legjitimitetin e Vladimir Putinit si president dhe u bën thirrje vendeve të ndërpresin çdo kontakt me të, përveç ndjekjes së paqes dhe qëllimeve humanitare. Kështu deklaroi kryetari i asamblesë, Theodoros Rusopoulos.

“Këto zgjedhje nuk kanë legjitimitet. Nuk kishte kandidatë të mirëfilltë alternativë, asnjë media të lirë, asnjë vëzhgues të besueshëm. Shoqëria civile është heshtur. Dhe mbi të gjitha, këto zgjedhje janë zhvilluar edhe në territorin e okupuar dhe të aneksuar ilegalisht të Ukrainës. E gjithë opozita politike është shtypur brutalisht dhe çdo kritik i regjimit ose burgoset ose është detyruar të largohet nga vendi. Dhe tragjikisht, lideri më i zëshëm dhe popullor i opozitës, Alexei Navalny, u vra në burg një muaj më parë, pasi iu nënshtrua torturave dhe trajtimit çnjerëzor për muaj të tërë.

Nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme në rrethana të tilla. Putinit i mungon qartë ndonjë gjurmë legjitimiteti demokratik. Kjo është konfirmuar nga Komisioni ynë i Venecias i Këshillit të Evropës, i cili ka gjetur se procedura për t’i dhënë Putinit edhe më shumë mandate ka shkelur ligjin kushtetues rus dhe ka shkelur parimet ligjore ndërkombëtare të vendosura prej kohësh.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës i kërkon unanimisht komunitetit ndërkombëtar që të mos e njohë më legjitimitetin e Putinit si president. Ne u bëjmë thirrje atyre që të ndërpresin çdo kontakt me Putinin, përveç në kërkim të paqes dhe për qëllime humanitare, për shembull në organizimin e shkëmbimeve të të burgosurve ose për të sjellë në shtëpi fëmijët e humbur të Ukrainës.”, tha ai në një deklaratë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!