Ministri i Jashtëm italian komenton deklaratën e Papa Françeskut: Dha një mesazh paqeje, nuk është në linjë me Moskën

schedule11:12 - 13 Mars, 2024

schedule 11:12 - 13 Mars, 2024

Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani ka komentuar deklaratën e Papa Françeskut, i cili tha se Ukraina duhet të ngrejë flamurin e bardhë. Kjo deklaratë nuk u prit mirë nga Kievi, i cili deklaroi se flamuri ukrainas është i verdhë dhe blu.

Tajani u shpreh se Papa dha një mesazh paqeje dhe se nuk është në linjë me Moskën.

“Unë besoj se Papa Françesku veproi si papë, dha një mesazh paqeje. U bë e qartë se Papa do paqe dhe nuk mori anën e Rusisë. Unë e interpretova mesazhin e tij si atë të dikujt që dëshiron të luftojë për paqen. Ai nuk është një politikan, por një udhërrëfyes shpirtëror për të gjithë katolikët dhe për botën e krishterë.

Besoj se mesazhi i tij kishte për qëllim t’i shtynte palët e përfshira të punonin për paqen.”, tha ministri italian në La7, duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me fjalët e Papës për “flamurin e bardhë” në Ukrainë./abcnews.al