Një gjeneral ukrainas që hodhi në erë urën e Kerçit, në një nga sulmet më të suksesshme të luftës në vendin e tij tha se ndihej si një gjahtar teksa drejtonte anijen në objektivin e saj.
Gjenerali Ivan Lukashevych, i shërbimit të sigurisë SBU të Ukrainës, arriti të shkëpuste përkohësisht Krimenë nga Rusia kontinentale, duke shkatërruar një linjë kryesore të furnizimit ushtarak.
Ai e përshkroi sulmin në detaje për The Telegraph në intervistën e tij të parë me mediat perëndimore, pasi Ukraina po fiton luftën në Detin e Zi me ndihmën e modeleve të reja, të avancuara të teknologjisë së tyre detare të prodhuar në vend.
“Ti ndihesh si një gjahtar, duke gjuajtur prenë,” tha gjenerali Lukashevych, duke përshkruar të qenit nën kontrollin e anijes së ngarkuar me eksplozivë, e cila shkatërroi urën duke rritur moralin e ushtrisë ukrainase.
“Përderisa armiku është një bishë, ne do ta gjuajmë atë. Mund të komunikosh vetëm me një person, jo me një kafshë që përpiqet të të vrasë.”
Dronët detarë me zhvillim të shpejtë kanë qenë një nga sukseset e papritura të luftës për Ukrainën, duke detyruar marinën ruse të tërhiqej nga Deti i Zi dhe duke lejuar Ukrainën të rihapte një korridor të transportit të grurit.
Një sërë anijesh ruse janë shkatërruar nga sulmet ukrainase të planifikuara me kujdes por goditja e urës së Kerçit mbetet një nga sulmet më të spikatura të fushatës.
Goditja në urë ishte hera e parë që njësia e operacioneve speciale të gjeneral Brig Lukashevych kishte përdorur modelin Sea Baby, gjenerata e tretë e anijeve me dronë në zhvillim që nga shpërthimi i luftës.
Shpërthimi vrau dy persona dhe shkaktoi shembjen e një pjesë të urës. Burimet ukrainase të sigurisë thanë në atë kohë se detajet e operacionit do të zbuloheshin vetëm “pas fitores së vendit”.
SBU më vonë publikoi pamjet video që tregonin disa momente përpara se një nga dronët Sea Baby të godiste. Në një bunker të fshehtë qindra milje larg, njësia speciale pas goditjes shihet duke festuar.
“Por për kreun e një operacioni ose për një operator droni detar, emocionet janë të tepërta,” shtoi komandanti. “Nën ndikimin e tyre, ju mund të bëni një gabim.
Ne nuk mund ta përballojmë këtë, ne kemi nevojë të jemi të matur.”
Goditja e parë duke përdorur armën e tyre të re mund të kishte qenë një sukses, por ekipi pas Sea Baby do të duhej të vazhdonte me planet më pas.
“Ne arritëm logjikisht në përfundimin se dronët tanë detarë duhet të mbajnë jo vetëm eksplozivë, por edhe armë të tjera për të luftuar armikun,” tha gjenerali Lukashevych.
“Në fund të fundit, vetë-shpërthimi i dronit është shumë i kufizuar dhe nuk mbulon gamën e plotë të kërcënimeve.”
Sea Baby është e pajisur me një motor 400 kuajfuqi, ka një distancë prej më shumë se 600 milje dhe një shpejtësi maksimale prej 55 mph.
Versioni kamikaze mban një kokë lufte 400 kg. Futja e dronëve detarë ka qenë thelbësore në Ukrainë, një vend pa një forcë serioze detare pasi ka rifituar kontrollin mbi Detin e Zi, raporton abcnews.al.
Vetëm dronët Sea Baby kanë qenë përgjegjës për goditjet në fregatën Admiral Makarov, Olenegorskiy Gornyak, dhe një cisternë nafte Sig. Agjencia e inteligjencës ushtarake e Ukrainës, HUR, ka të paktën tre dronë të saj, përfshirë Magura V5, që janë përdorur për fundosjen e anijeve patrulluese ruse.
“Më duhet të them më shumë: jo vetëm marina ruse, por të gjitha marinat në botë janë të detyruara të rishikojnë strategjitë e tyre dhe të përshtaten me këtë lloj të ri arme që është zbuluar për herë të parë”, tha ai.
Në më shumë se dy vjet luftë, Rusia ka treguar aftësinë e saj për t’iu kundërvënë aftësive të reja, të tilla si përdorimi i sistemeve elektronike për të ndryshuar kursin e raketave Himars.
Por forcat e Moskës nuk kanë ende “mjetet teknike” për të zbuluar një dron detar që në pamje të parë, tha gjenerali Lukashevych. Në këtë mënyrë, rusët janë të detyruar të përdorin avionë dhe helikopterë luftarakë për të patrulluar brigjet në Ukrainë dhe Krime, raporton abcnews.al.
Dhe sa i përket mbrojtjes së anijeve të tyre, gjenerali Lukashevych këmbënguli se njësia e tij ishte “disa hapa përpara” nga armiku rus. Moska ka vendosur mitralozë dhe ka ripërdorur topat e mbrojtjes ajrore për të luftuar dronët që vijnë, shtoi ai.
Suksesi i luftës së Ukrainës me dron e ka lejuar atë të hapë një korridor të transportit të grurit që prek brigjet e Rumanisë dhe Bullgarisë, duke i dhënë fund bllokadës detare të Vladimir Putin të Detit të Zi.
Flota e çmuar e presidentit rus të Detit të Zi ka tërhequr gjithashtu anijet luftarake nga porti i Krimesë i Sevastopolit, duke i penguar ato të godasin Ukrainën me raketa me rreze të gjatë dhe duke eliminuar kërcënimin e një zbarkimi amfib në Odesa.
Dominimi i Detit të Zi ishte një nga synimet më ambicioze dhe më të hershme të luftës së presidentit Volodymyr Zelensky, pas pushtimit rus.
“Të detyrosh armikun të tërhiqet nga Deti i Zi ishte qëllimi ynë dhe ne ia arritëm”, tha gjenerali Lukashevych.
“Rusët kanë larguar anijet e tyre luftarake më të vlefshme nga Gjiri i Sevastopolit, duke i vendosur ato në pjesën lindore të Detit të Zi, si Novorossiysk.
“Rezultatet tona flasin vetë”, përfundoi ai.
/abcnews.al