Armando Sadiku ka pësuar një dëmtim në ndeshjen e fundit. Sulmuesi nga Elbasani la fushën e lojës në fund, ndërkohë që ka ndjerë një shqetësim në pjesën e pasme të kofshës së këmbës së majtë. Malaga e ka njoftuar diçka të tillë, teksa ditën e djeshme sulmuesi ka kryer kontrollet mjekësore.
Klubi spanjoll nuk bën me dije se sa kohë do të duhet që Sadiku të rikuperohet, çka ka bërë që mediat në Spanjë të aludojnë për një qëndrim të sulmuesit jashtë fushave të blerta për disa ndeshjes. Kjo për shkak se Malaga nuk jep shumë informacion.
Nuk dihet nëse Sadiku ka pësuar ndonjë kontraktim apo tërheqje. Nëse është kjo e dyta, do të duhet të qëndrojë të paktën 10 ditë larg fushave të blerta, çka do të vinte në dyshim edhe praninë e sulmuesit në ndeshjet që Shqipëria luan me Andorrën dhe Francën.
Gjithsesi duhet pritur për të mësuar një informacion më të saktë rreth dëmtimit të Sadikut. Në takimet e fundit të Shqipërisë trajneri Edoardo Reja ka preferuar të luajë me Cikalleshin dhe Manajn në sulm dhe të dy janë paraqitur mirë.
Bekim Balaj gjithashtu po jep sinjale pozitive, teksa po shënon në Austri. Gjithashtu edhe Uzuni në Kroaci ka kapur formën më të mirë dhe kështu trajneri italian ka alternativa të bollshme për repartin e avancuar. /abcnews.al