Nis këtë të hënë muaji i shenjtë i Ramazanit. Për 30 ditë besimtarët myslimanë mbajnë agjërim, një nga 5 kushtet e islamit. Ramazani është muaji më i rëndësishëm i besimit islam. Çdo besimtar e pret atë me gëzim, duke shpresuar në faljen dhe mëshirën e Zotit.
Gjatë këtij muaji të shenjtë agjëruesit nuk konsumojnë ushqim dhe lëngje nga lindja e diellit deri në përëndimin e tij.
Besimtarët gjatë Ramazanit luten për më shumë mirësi dhe shëndet.
“Agjëroj prej 20 vitesh. Është një muaj i rëndësishëm sakrifice. Lutem për mirësi, por edhe për paqe në vendet e luftës”.
“Dua t’ju uroj agjërim të lehtë të gjithë besimtarëve. Agjëroj prej 10 vitesh. Këtë vit lutem për të mirën e të gjithë shqiptarëve”.
“Është një moment i rëndësishëm, ua sugjeroj të gjithëve ta provojnë sepse do të ndihen mirë”.
Kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu, ka uruar besimtarët. Sipas tij, Ramazani është muaji i solidaritetit dhe dhënies së lëmoshës.
“Muaji i bekuar i Ramazanit është një mundësi që Zoti na ka dhuruar për ta pastruar shpirtin dhe trupin. Ramazani nuk është muaj diete, por muaj adhurimi përmes të cilit njeriut ka mundësinë e artë të arrijë kënaqësinë e Zotit dhe përmes kësaj arritje të begatojë vete e tij me mirësi në këtë botë dhe ne atë të përtejmen. Ramazani është pastrim shpirtëror në radhë të parë”.
Në mesazhin e tij, kreu i KMSH, lutjet i adresoi gjithashtu edhe për vendet në konflikt.
“Lusim Zotin që të arrihet sa më parë paqja mes palëve në Gaza, Ukrainë dhe çdo vend tjetër ku ka konflikte dhe njerëzit të gjejnë qetësinë e merituar dhe të kalojnë një Ramazan të begatë”.
Ramazani që nis në 11 mars mbyllet në 10 prill me festimin e Fiter Bajramit./abcnews.al