Ukraina do t’i pranojë 6 miliardë euro nga Bashkimi Evropian në dy muajt e ardhshëm, tha kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, të premten.
Qeveria ukrainase pret t’i marrë 4.5 miliardë euro në mars, ndërsa 1.5 miliard euro të tjera në prill, sipas Shmyhalit, shkruan REL.
BE-ja u pajtua në shkurt për një paketë të ndihmës financiare për Ukrainën në vlerë prej 50 miliardë eurosh për një periudhë katërvjeçare.
“Këtë vit, ne synojmë t’i marrin 16 miliardë euro nga Bashkimi Evropian. Ukraina do t’i ketë burimet për të luftuar dhe për të fituar. Ky është synimi ynë kryesor dhe ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për këtë”, theksoi ai.
Pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka hyrë në vitin e tretë dhe Kievi varet tejet shumë nga mbështetja ekonomike dhe ushtarake e aleatëve të vet perëndimorë.
Ndihma ekonomike në vlerë miliarda euro në dy vjetët e para i ndihmoi Qeverisë ta ruajë qëndrueshmërinë makroekonomike, ta luftojë inflacionin dhe t’i kryejë me kohë pagesat e pensioneve dhe rrogat në sektorin publik.