Koreja e Veriut përgatitet për luftë, Kim Jong Un ndjek nga afër stërvitjen

schedule09:23 - 8 Mars, 2024

schedule 09:23 - 8 Mars, 2024

Koreja e Veriut shfaqi të enjten sistemet e saj të raketave me rreze të gjatë, në një stërvitje, e cila zhvillohet në një moment të tensionuar në Gadishullijn Korean, pasi Koreja e Jugut dhe SHBA janë po ashtu duke kryer stërvitjen e tyre vjetore “Mburoja e Lirisë”.

Në stërvitjen e fundit Pheniani ka shfaqur mijëra armë që mund t’i përdorë për të goditur Jugun pa paralajmërim duke shkaktuar dhjetëra mijëra viktima, sipas ekspertëve.

Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Veriut denoncoi të hënën stërvitjet e përbashkëta 11-ditore SHBA-Kore e Jugut duke i cilësuar provokative dhe “të pamatura”.

Pheniani paralajmëroi se forcat e Koresë së Veriut do të monitorojnë do të kryejnë “aktivitete ushtarake të përgjegjshme” për të mbajtur nën kontroll një situatë të paqëndrueshme sigurie.

Stërvitja e Veriut komunist ishte e dyta brenda një jave, një ditë pasi forcat e saj tokësore u duk se dislokuan në pikat e rojes kufitare gjatë manovrave.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un i vëzhgoi të dyja stërvitjet dhe u pa në fotot e publikuara nga media shtetërore, në raportimin ku po ashtu u theksua se stërvitja dërgoi një mesazh të fortë për Jugun.

“Stërvitja nisi me gjuajtje për demonstrimin e fuqisë së nën-njësive të artilerisë me rreze të gjatë afër kufirit, të cilët kanë vendosur kryeqytetin e armikut në rrezen e tyre të goditjes dhe kanë përmbushur misione të rëndësishme ushtarake për parandalimin e luftës”, thuhet në raportin e KCNA.

Ndërkohë, Kim theksoi rëndësinë e përgatitjes “për mobilizim të rregullt luftarak, në mënyrë që të gjitha nën-njësitë e artilerisë të mund të marrin iniciativën me sulme të pamëshirshme dhe të shpejta në momentin e hyrjes së tyre në një luftë aktuale”.

Sistemet e artilerisë së Koresë së Veriut kanë pushtuar titujt e mediave në javët e fundit pasi Pheniani po armatos forcat ruse me to për të luftuar në Ukrainë.

Që nga gushti, Kim ka dërguar rreth 6,700 kontejnerë në Rusi, të cilat mund të mbajnë më shumë se 3 milionë predha artilerie ose më shumë se 500,000 fishekë për raketahedhës, sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Koresë së Jugut.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!