Izraeli do të vazhdojë operacionet e tij kundër Hamasit, duke përfshirë qytetin jugor të Gazës, Rafah, pavarësisht presionit në rritje nga ndërkombëtarët për të ndaluar, deklaroi të enjten kryeministri Benjamin Netanyahu.
Ai është zotuar të shkatërrojë Hamasin pasi anëtarët e tij sulmuan Izraelin jugor më 7 tetor, duke vrarë 1200 njerëz dhe rrëmbyer 253 të tjerë. Më shumë se 30,000 njerëz janë vrarë në Gaza gjatë operacioneve të mëvonshme të Izraelit, vlerësojnë autoritetet palestineze shëndetësore, duke shkaktuar dënime globale.
“Ka presion ndërkombëtar dhe po rritet, por sidomos kur presioni ndërkombëtar po rritet, ne duhet të bëhemi një grusht, duhet të jemi të bashkuar kundër përpjekjeve për ndalimin e luftës”, nënvizoi kreu i qeverisë izraelite.
Rreth 1.5 milion njerëz vlerësohet të jenë të grumbulluar në Rafah, shumica e të cilëve janë larguar nga shtëpitë e tyre më në veri për t’i shpëtuar ofensivës ushtarake të Izraelit.
Në një fjalim gjatë një ceremonie të diplomimit të shkollës ushtarake, Netanyahu tha se Izraeli do të vazhdojë operacionet përgjatë Gazës, “përfshirë Rafahun, bastionin e fundit të Hamasit”.
“Kushdo që na thotë të mos operojmë në Rafah, na thotë të humbasim luftën dhe kjo nuk do të ndodhë”, theksoi Netanyahu./abcnews.al