Federata Shqiptare e Futbollit do të mirëpres një tjetër turne Europian. Bëhet fjalë për “UEFA Development” U-16 për vajza dhe ky turne do të zhvillohet në vendin tonë në datat 11-16 mars.
Në këtë turne do të marrin pjesë Shqipëria U-16, Kosova U-16, Skocia U-16 dhe Portugalia U-16, teksa të gjitha ndeshjet do të luhen në “Shtëpinë e Futbollit”.
“UEFA Development” është një turne zhvillimor që i jep mundësinë futbollisteve kuqezi të masin forcat me bashkëmoshataret e tyre.
Kombëtarja U-16 e vajzave, e drejtuar nga trajneri Agustin Kola do të qëndrojë e grumbulluar në Durrës, ku do të zhvillojë edhe seancat stërvitore në prag të këtij turneu të rëndësishëm e zhvillimor për këtë grupmoshë.
Përsa i përket kalendarit, ndeshjet e para do të luhen më datë 11 mars. Sfida e parë e ditës në “Shtëpinë e Futbollit” do të jetë Skoci-Portugali në orën 11:30, ndërsa Shqipëria do të përballet me Kosovën në orën 14:30.
Takimet e dyta të turneut do të zhvillohen më 13 mars, me sfidën Portugali-Kosovë që do të luhet në orën 11:30 dhe Shqipëri-Skoci do të zhvillohet në orën 14:30.
Shqipëria e vajzave U-16 do të luajë ndeshjen e fundit në turneun “UEFA Development” me Portugalinë më datë 15 mars në orën 14:30, ndërsa sfida Kosovë-Skoci do të zhvillohet më 16 mars në orën 11:30.
Kalendari i plotë i ndeshjeve “UEFA Development” U-16 për vajza:
11 mars
Skoci U-16 – Portugali U-16, 11:30 “Shtëpia e Futbollit”, Tiranë
Shqipëri U-16 – Kosovë U-16, 14:30 “Shtëpia e Futbollit”, Tiranë
13 mars
Portugali U-16 – Kosovë U-16, 11:30 “Shtëpia e Futbollit”, Tiranë
Shqipëri U-16 – Skoci U-16, 14:30 “Shtëpia e Futbollit”, Tiranë
15 mars
Shqipëri U-16 – Portugali U-16, 14:30 “Shtëpia e Futbollit”, Tiranë
16 mars
Kosovë U-16 – Skoci U-16, 11:30 “Shtëpia e Futbollit”, Tiranë