Udhëheqësi i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko do të kandidojë sërish për president në vitin 2025, njoftoi të dielën agjencia shtetërore e lajmeve bjelloruse BelTA. Lukashenko e bëri këtë deklaratë pas votimit në zgjedhjet parlamentare dhe të këshillit vendor, të cilësuara nga Shtetet e Bashkuara si të rreme.
Zyrtari më i lartë zgjedhor i ish-shtetit sovjetik i tha Uashingtonit që të kujdesej për punët e veta. Lukashenko, i cili ka qenë në pushtet që nga 1994, tha: “Thuaju atyre (opozitës në mërgim) se unë do të kandidoj. Askush, asnjë president përgjegjës nuk do të braktiste njerëzit e tij që e ndoqën atë në betejë.”
69 vjeçari është një nga aleatët më të ngushtë të Vladimir Putin dhe i lejoi Kremlinit të përdorte territorin e vendit të tij për të nisur pushtimin e tij në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022.
“Ne jemi ende një vit larg zgjedhjeve presidenciale. Shumë gjëra mund të ndryshojnë,” tha ai në përgjigje të një pyetjeje pasuese.
“Natyrisht, unë dhe të gjithë ne, shoqëria, do të reagojmë ndaj ndryshimeve që do të ndodhin në shoqërinë tonë dhe situatës në të cilën do t’i afrohemi zgjedhjeve pas një viti,” tha Lukashenko.
Departamenti Amerikan i Shtetit dënoi ato që i quajti zgjedhjet “të rreme” në Bjellorusi të dielën.
“Zgjedhjet u mbajtën në një klimë frike nën të cilën asnjë proces zgjedhor nuk mund të quhej demokratik”, tha në një deklaratë zëdhënësi i departamentit Matthew Miller.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Bjellorusisë, në komentet e cituara nga BelTA, tha se nuk i takon Shteteve të Bashkuara të komentojnë zgjedhjet./abcnews.al