DASH dënon zgjedhjet në Bjellorusi: Jo demokratike, u zhvilluan nën frikë

schedule20:58 - 25 Shkurt, 2024

schedule 20:58 - 25 Shkurt, 2024

Departamenti Amerikan i Shtetit ka dënuar zgjedhjet parlamentare të mbajtura në Bjellorusi, duke i cilësuar si të rreme dhe të mbajtura në një atmosferë frike dhe në kushte mosrespektimi të procedurave demokratike.

DASH thekson se regjimi i presidentit Aleksandër Lukashenko vazhdon të mbajë mbi 1,400 të burgosur politikë dhe se të gjitha figurat e pavarura politike ose janë të ndaluar ose të internuar nga Bjellorusia.

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, të gjitha partive të pavarura politike bjelloruse u është mohuar regjistrimi në zgjedhje. DASH pretendon gjithashtu se autoritetet bjelloruse e penguan OSBE të vëzhgonte zgjedhjet, gjë që kufizoi më tej transparencën e nevojshme për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë zgjedhjet e rreme parlamentare dhe lokale të regjimit të Lukashenkos që përfunduan sot në Bjellorusi. Zgjedhjet u zhvilluan në një klimë frike në të cilën asnjë proces zgjedhor nuk mund të quhej demokratik. Regjimi vazhdon të mbajë më shumë se 1400 të burgosur politikë. Të gjitha figurat e pavarura politike ose janë arrestuar ose internuar. Të gjitha partive të pavarura politike iu refuzua regjistrimi. Bjellorusët jashtë vendit mund të votojnë vetëm nëse kthehen në Minsk, ku ka të ngjarë të përballen me reprezalje. Këto abuzime në fakt kanë ngrirë aktivitetet dhe diskursin e vërtetë politik brenda Bjellorusisë. Regjimi e pengoi Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë të vëzhgonte zgjedhjet, duke kufizuar më tej transparencën që është thelbësore për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Shtetet e Bashkuara njohin forcën, qëndrueshmërinë dhe guximin e shoqërisë civile dhe lëvizjes demokratike të Bjellorusisë, të cilat kërkojnë një zë në përcaktimin e së ardhmes së vendit të tyre. Shtetet e Bashkuara i bëjnë sërish thirrje regjimit të Lukashenkos që të përfundojë shtypjen e tij, të lirojë të gjithë të burgosurit politikë dhe të hapë dialogun me kundërshtarët e tij politikë. Populli Bjellorus meriton më mirë.”, thuhet në deklaratë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!