Ministria e Jashtme ruse njoftoi zgjerimin e listës së zyrtarëve dhe politikanëve të Bashkimit Europian të cilëve u ndalohet hyrja në Rusi në përgjigje të paketës së fundit të sanksioneve europiane kundër Moskës.
Shtetet anëtare të Bashkimit Europian miratuan një paketë të 13-të sanksionesh kundër Rusisë, duke vendosur masa kufizuese ndaj 200 personave dhe kompanive të akuzuara për ndihmën e Moskës për furnizimin me armë, përfshirjen në rrëmbimin e fëmijëve nga Ukraina ose ndihmën për të anashkaluar sanksionet.
“Bashkimi Europian vazhdon përpjekjet për të bërë presion ndaj Rusisë përmes masave të njëanshme dhe kufizuese”, tha Ministria e Jashtme ruse në një deklaratë.
“Në përgjigje të këtyre veprimeve jomiqësore, pala ruse zgjeroi ndjeshëm listën e përfaqësuesve të institucioneve europiane dhe vendeve anëtare të BE-së, të cilëve u ndalohet hyrja në territorin e vendit tonë”.
Lista përfshin përfaqësues të agjencive të zbatimit të ligjit dhe organizatave tregtare që furnizuan ndihma ushtarake për Ukrainën, përfaqësues të institucioneve europiane të përfshirë në ndjekjen penale të zyrtarëve rusë dhe ata që mblodhën materiale për të mbështetur idenë e sekuestrimit të aseteve ruse.
Lista ruse përfshin përfaqësues të Këshillit të Europës dhe Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, të cilët bëjnë deklarata agresive kundër Rusisë, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme ruse.
/abcnews.al