Mund të thuhet me plot gojë se është një nga më të mirët e momentit, sa i përket repartit të mesfushës. “Ylli” turk, Hakan Calhanoglu është kthyer në një pikë referimi, në qendrën e fushës së Inter, teksa përveç idejimit të aksioneve, mesfushori është kthyer edhe një goleador të vërtetë, teksa numëron plot 11 gola e 3 asistime këtë sezon, teksa më shumë se ai ka vetëm “fantazisti” anglez, Jude Bellingham.
Të qënurit një nga më të mirët nuk është e habitshme për “arkitektin” e mesfushës, i cili vetë e ka parashikuar diçka të tillë, teksa gjatë një interviste interesante, të zhvilluar për mediat italiane nuk është treguar aspak modest, për vlerat e tij, megjithatë nuk duhet mohuar se të paktën këto 3 vitet e fundit, Calhanoglu është kthyer në “trurin” e lojës së “Zikaltër”.
“Muaj më parë u shpreha se jam ndër pesë ‘regjisorët’ më të mirë në botë, por askush nuk më besoi. Gjithsesi, unë kam besim të madh te vetja, i njoh cilësitë e mia dhe nuk kam frikë nga askush. Askush nuk i shënon golat që realizoj unë. Unë nuk shënoj gola nga një metër larg, por nga shumë larg. Si nga goditjet e dënimit. Unë bëj gjëra të vështira dhe të komplikuara.
Pesë më të mirët në rolin tim? Hakan Calhanoglu vjen i pari. Më pas me radhë, Rodri, Toni Kroos, Kimmich dhe Enzo Fernandez.
Nuk më pëlqen të kthej topin pas, preferoj të vertikalizoj menjëherë dhe të luaj shpejt topin. Provoj të shfrytëzoj hapësirat e krijuara.
Idhulli im? Andrea Pirlo. Më pëlqente shumë stili i tij i lojës dhe qëndrimi i qetë që kishte në fushë. Nuk e ndjente fare stresin dhe presionin. Nuk e harroj penalltinë që shënoi ndaj Hart në Euro 2012. Pirlo është idhulli im, ai ishte numri një”,- u shpreh “arkitekti” turk i mesfushës së “Zikaltërve”.
Kjo intervistë tregon edhe njëherë se jo më kot, Inter është kthyer në një superfuqi, në futbollin evropian, me djemtë e teknikut, Simone Inzaghi, që pas fitimit të Superkupës po luftojnë në dy fronte për trofe, në kampionat, ku deri më tani është 9 pikë para “Bardhezinjve” të Juventus, me një ndeshje në “dorë”, si dhe në Champions League, ku vetëm dy ditë më parë mundën “Los Colchoneros” e Altetico Madrid, me rezultatin minimal, 1 me 0, në sfidën e parë, të fazës së 1/8-ve, të këtij kompeticioni. /i.m /abcnews.al